Kurti në koncertin për Kardinalin Ernest Simoni: Figurë e qëndresës dhe besimit të palëkundur
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në koncertin, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, në nder të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni, me rastin e 70-vjetorit të shugurimit të tij meshtarak.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Kardinal Ernest Simoni,
I nderuari Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës,
I nderuari Arqipeshkv nga Tivari, Don Zef Gashi,
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar shkëlqesi-ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike në Republikën e Kosovës,
I nderuar kryetar i komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
Të nderuar deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar besimtarë, qytetarë të vendit tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Është nder i posaçëm të jem në mesin tuaj sonte, për të shënuar tri ngjarje me rëndësi të veçantë: 70-vjetorin e shugurimit të hirësisë së tij, kardinalit Ernest Simoni; 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënës Terezë; si dhe pritjen solemne me rastin e Pashkës Katolike.
Sonte në katedralen që mban emrin e Shën Nëna Terezës, përmes muzikës së thellë e të lartë jemi dëshmitar se si arti dhe bukuria ruajnë kujtesën kolektive dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi mes popujve dhe kulturave.
Pas prezantimit të Filharmonisë dhe Operës së Kosovës gjatë muajit shtator 2025 në Vatikan, të cilët interpretuan veprën e kardinalit Bartolucci, sonte Kori i Fondacionit “Bartolucci” na ofroi momente të veçanta shpirtërore dhe estetike. Kjo është një shprehje konkrete e vazhdimit të bashkëpunimit miqësor ndërmjet institucioneve tona dhe partnerëve ndërkombëtar, si dhe një dëshmi se arti është një gjuhë universale që na afron me njëri-tjetrin teksa ai vetë bëhet kulturë.
Në këtë mbrëmje shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt ndaj kardinalit Ernest Simoni, si një figurë përcaktuese historike e qëndresës shpirtërore dhe e besimit të palëkundur. Jeta dhe veprimtaria e tij janë kontribut i jashtëzakonshëm në mbrojtje të lirisë fetare dhe të dinjitetit njerëzor. Përmes përkushtimit të tij, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar shqiptar duke u bërë simbol i rezistencës ndaj shtypjes dhe një frymëzim për brezat që vijnë.
Arsyeja e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është se sonte jemi mbledhur edhe për pritjen solemne me rastin e festës së Pashkës. Kjo ditë e shenjtë na përkujton rëndësinë e harmonisë mes nesh dhe na inspiron për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Shpresa, sakrifica, dashuria, falja dhe rilindja, si nevojë për të ndryshuar për të mirë, janë mesazhe kyçe të kësaj feste.
Gjersa reflektojmë mbi një të kaluar jo të lehtë, në këtë ditë kuptimplotë, theksojmë njëkohësisht rëndësinë e bashkëveprimit mes nesh si vlerë thelbësore për të ardhmen tonë të përbashkët. Në Republikën e Kosovës diversiteti kulturor dhe fetar përbëjnë një ndër pasuritë dhe shtyllat kryesore të shtetit tonë, i cili është si gjithpërfshirës ashtu edhe demokratik. Bashkëjetesa dhe respekti ndërfetar janë principe që i ruajmë dhe i kultivojmë me krenari.
Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë thellësisht historinë, identitetin dhe larminë e pasur të vendit tonë, e që ka rol të veçantë në promovimin edhe të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në këtë kuadër roli i komunitetit katolik në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe në forcimin e solidaritetit shoqëror përbën një shembull të vyer që meriton mirënjohje nga të gjithë.
Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kontributin tuaj të vazhdueshëm dhe të çmuar për kombin dhe shtetin tonë, si dhe respektin më të lartë për kardinalin Ernest Simoni, për jetën, veprën dhe dëshminë e tij të rrallë në shërbim të besimit dhe njerëzimit.
Ju faleminderit!
Rruga Press

