USB me mbi 130 mijë dokumente sekrete serbe – Kemi depërtuar në zemrën e kasafortës së Serbisë, ku ruhen “top sekrete” shtetërore të luftës dhe e vërteta për gjenocidin në Kosovë nuk mund të fshihet më
Shkruan Feim Tahirsylaj
Sekretet “top sekret” dalin në dritë!
Ka momente si ky kur pesha e historisë ndihet në duart tua.
Sot, në dorën time mbaj një USB me mbi 130 mijë dokumente sekrete nga arkivi i luftës së Serbisë gjatë viteve 1998-1999. Dokumentet janë autentike dhe përmbajnë të dhëna të detajuara lidhur me zhvillimet e luftës, operacionet ushtarake dhe gjenocidin e kryer në Kosovë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Janë dëshmi të shkruara që flasin për agresorët me emra e mbiemra, për zingjirin e tyre komandues, për urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e operacioneve luftarake që rezultuan me krime të përmasave shfarosëse mbi popullatën e pambrojtur në Kosovë.
Për vite me radhë, Serbia ka refuzuar t’i hapë arkivat e luftës më qëllim të fshehjes së provave. Ka mohuar krimet dhe gjenocidin në Kosovë. Ka tentuar ta varrosë të vërtetën bashkë me viktimat. Por e vërteta kurrë nuk vdes.
Ky arkiv në USB është dëshmi e asaj që ka ndodhur realisht gjatë luftës në Kosovë dhe dëshmi që kërkon drejtësi pa kompromis. Këto nuk janë vetëm letra. Janë jetë të këputura përgjysmë, histori familjesh të shkatërruara, zëra që nuk u dëgjuan kurrë, plagë që ende nuk janë shëruar…
Pra, mbaj në dorën time, plot 130 mijë dokumente të klasifikuara në nivelet më të larta të fshehtësisë shtetërore, që lidhen me periudhen e luftës dhe që janë mbajtur të fshehura në arkivat e Serbisë, por që tashme kanë dalë në dritë dhe hedhin dritë mbi të vërtetën.
Mos me pyesni nga i mora dhe si? E rëndësishme është se kemi depërtuar në vetë zemrën e kasafortës së Serbisë, ku ruhen “top sekret” dokumentet shtetërore të luftës, dhe se e vërteta për gjenocidin e shtetit serb në Kosovë nuk mund të fshihet më.
Ajo që u fsheh për dekada, sot bëhet aktakuzë. Drejtësia fillon tek tani dhe askush nuk do t’i shpëtojë gjykimit të saj. Ata që urdhëruan dhe ata që zbatuan do të përballen me drejtësinë.
Rruga Press

