Lajme

Rritet çmimi i biletës Korçë-Tiranë, shkak shtrenjtimi i naftës

Rritja e çmimit të naftës ka sjellë rritjen e çmimit të biletave në linjat e autobusëve të linjës Korçë – Tiranë. Nëse më parë një biletë vajtje-ardhje kushtonte 1,400 lekë të reja, tani çmimi ka shkuar në 1,600 lekë.

Sipas pronarëve të autobusëve, kjo rritje lidhet direkt me koston e lartë të naftës, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë e një rritjeje të mëtejshme të biletave.

“U rrit nafta, nuk del hesapi, e bëmë tarifën 1,600 lekë. Nëse vazhdon të rritet nafta, nuk na leverdis. O do i mbyllim, o do rritim çmimin e biletës, por kjo bie mbi shpinën e popullit. Deri tani dalim me humbje sepse nuk ka pasagjerë”, thotë Bardhi Mete, kryetar i Shoqatës së Autobusëve.

Lexo më shumë  Konfindustria tre kërkesa ndaj qeverisë Rama: Nuk keni marrë asnjë masë lehtësuese

Udhëtarët shprehin shqetësim për çmimin e lartë, sidomos pensionistët.

“Jo, nuk është i përballueshëm. Rrogat e pakta, çmimet e larta,” tha një pasagjer.

“Ky popull po ngordh. Nuk e përballoj dot. Do rrimë në vend, mos lëvizim,” u shpreh një tjetër.

“U rrit karburanti, do rritet edhe bileta. Shoferët kanë të drejtë, por shteti duhet të ndërhyjë,” tha një udhëtar.

“Bileta e autobusit po rëndon shumë. Jam pensionist, dua të paguaj ilaçet apo biletën? Shteti duhet të ulë taksat për karburantet si në vendet fqinje,” u shpreh një tjetër.

Lexo më shumë  Bujqësia dorëzohet, eksportet e zarzavateve ranë me 33%, importet rriten 23% në dymujorin e parë të vitit në Shqipëri

Shoferët paralajmërojnë se rritja e çmimit të biletave pritet të prekë edhe linjat që lidhin Korçën me qytetet e tjera.

Kjo situatë nënvizon ndikimin e çmimit të karburanteve mbi jetën e përditshme të qytetarëve dhe nevojën për masa lehtësuese nga shteti për të mbrojtur qytetarët më të prekur.

Rruga Press

YouTube player