Në një telefonatë me Putinin, Orbani u ofrua të ishte “miu” që ndihmon “luanin” rus
Viktor Orbán i Hungarisë ka ofruar të bëjë gjithçka për të ndihmuar Vladimir Putinin, duke i thënë liderit rus “jam në shërbimin tuaj” gjatë një telefonate në tetor, sipas raportimeve të fundit – një zhvillim që rrit edhe më shumë dyshimet mbi lidhjet e Budapestit me Kremlinin, pikërisht në momentin kur J.D. Vance mbërriti në qytet.
Avioni Air Force Two u ul në Budapest të martën në mëngjes, duke sjellë zëvendëspresidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij, Usha Vance, në një kohë kur Hungaria ndodhet në ditët e fundit të një fushate zgjedhore të ashpër, të shoqëruar me skandale mbi marrëdhëniet mes Budapestit dhe Moskës.

Bloomberg raportoi se ka siguruar një transkript të qeverisë hungareze nga një telefonatë mes Orbánit dhe Putinit më 17 tetor, ku kryeministri hungarez e krahasoi marrëdhënien e tyre me atë të një “miu” që qëndron gati të ndihmojë “luanin” rus sipas nevojës.
“Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa unë mund të ndihmoj në çdo mënyrë,” thuhet se i ka thënë Orbani Putinit. “Në çdo çështje ku mund të jem i dobishëm, jam në shërbimin tuaj.”
Për të theksuar idenë, Orbani thuhet se iu referua një fabule të Ezopit, ku një mi – që më parë ishte kursyer nga një luan – e shpëton më pas atë nga një rrjetë gjuetarësh. Komenti, sipas transkriptit, shkaktoi të qeshura nga ana e Putinit.

Orbani, një populist i djathtë që synon ta shndërrojë Hungarinë në atë që ai e quan “demokraci joliberale”, konsiderohet si lideri më miqësor ndaj Moskës në BE, aq sa kritikët e quajnë shpesh “kalë Troje” të Putinit.
Zbulimet e fundit shtojnë dyshimet për rolin që po luajnë SHBA dhe Rusia për të mbështetur Orbanin, i cili po mbetet pas në sondazhe.
Donald Trump e ka mbështetur vazhdimisht Orbanin, duke e quajtur “një njeri fantastik” dhe “lider të fortë dhe të fuqishëm”, ndërsa administrata e tij ka dërguar Vance në Budapest në një përpjekje të dukshme për të ndihmuar fushatën e tij në vështirësi. Ndërkohë, agjenci ruse të inteligjencës dhe rrjete dezinformimi të lidhura me Rusinë dyshohet se po përpiqen të ndikojnë në zgjedhje.

Teksa hungarezët përgatiten të votojnë këtë fundjavë, shumica e sondazheve tregojnë se Orbani po përballet me një sfidë të paprecedentë nga Péter Magyar, një ish-figurë e lartë e partisë së tij Fidesz, duke hapur mundësinë që ai të rrëzohet pas 16 vitesh në pushtet.
Kjo situatë ka mobilizuar liderë të djathtë në mbarë botën, duke e kthyer këtë zgjedhje në një çështje me rëndësi globale.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër edhe në BE. Javën e kaluar, disa liderë reaguan me zemërim pas publikimit të një audioje ku ministri i jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, dëgjohej duke i thënë homologut rus, Sergei Lavrov, se do të punonte për të ndryshuar listën e sanksioneve të BE-së sipas dëshirës së Moskës.
Në telefonatën e zbuluar të martën, Putin thuhet se lavdëroi qëndrimin “të pavarur dhe fleksibël” të Hungarisë ndaj luftës së tij në Ukrainë. “Është e pakuptueshme për ne që një qëndrim kaq i balancuar dhe i mesëm të prodhojë vetëm kundërshtime,” citohet të ketë thënë presidenti rus.
Telefonata përfundoi me pyetje për shëndetin e njëri-tjetrit. “Unë ushtrohem, bëj edhe ski. E di që ju luani futboll,” thuhet se i tha Putin. “Përpiqem,” u përgjigj Orbani, duke shkaktuar të qeshura nga të dy.
Në fund, Orbani e falënderoi Putinin për telefonatën dhe i tha mirupafshim në rusisht.
Rruga Press

