Spitali i Shkodrës transformohet vetëm në Facebook, në realitet pacientët presin në korridor
Ministrja Evis Sala ka njoftuar me entuziazëm në rrjetet sociale se Spitali Rajonal i Shkodrës po hyn në një “fazë të re transformimi”. Sipas saj, materniteti po konsolidohet përmes përmirësimit të infrastrukturës, pajisjeve moderne, digjitalizimit dhe riorganizimit të proceseve të punës, me qëllim që çdo nënë dhe çdo foshnjë të marrë kujdes cilësor, të sigurt dhe të denjë.
Në njoftimin e ministres, gjithçka duket në vendin e vet: protokolle të unifikuara, menaxhim efikas dhe harmonizim me standardet europiane të kujdesit shëndetësor. Një panoramë që në letër dhe në Facebook duket pothuajse perfekte.
Vetëm se realiteti i spitaleve shqiptare ka një zakon të keq: shpesh nuk përputhet me statuset.
Në praktikë, pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë personeli, pritje të gjata, korridore të mbushura dhe aparatura që jo rrallë funksionojnë më shumë në njoftime zyrtare sesa në përdorim të përditshëm. Dhe kjo nuk është një histori vetëm e Shkodrës.
Në komunikimet zyrtare, spitalet shqiptare janë gjithmonë në transformim. Në realitet, shpesh janë thjesht në mbijetesë.
Ndërsa ministria flet për digjitalizim dhe standarde europiane, shumë qytetarë ende përballen me problemet më bazike të sistemit: mungesën e mjekëve, pajisjet e amortizuara dhe një sistem që shpesh funksionon më mirë në powerpoint sesa në pavion.
Në fund, transformimi më i shpejtë duket se ndodh në një vend të vetëm: në Facebook.
Rruga Press

