Bota

Ekzekutohet muzikanti 18-vjeçar në Iran për pjesëmarrje në protesta

Autoritetet e Iranit kanë ekzekutuar muzikantin 18-vjeçar Amirhossein Khatami, në një rast që ka shkaktuar reagime ndërkombëtare dhe ka rikthyer në vëmendje zbatimin e rreptë të dënimit me vdekje në vend.

Sipas Daily Mail, kitaristi i ri u var në agim të së mërkurës në burgun famëkeq Ghezel Hesar, pranë Teheranit, vetëm disa javë pas arrestimit të tij gjatë protestave kundër qeverisë.

Khatami ishte arrestuar më 8 janar, i akuzuar për përfshirje në zjarrvënie ndaj një objekti të organizatës paraushtarake Basij në Teheran, gjatë demonstratave antiqeveritare. Autoritetet gjyqësore pretenduan se ai kishte vepruar “kundër sigurisë kombëtare” dhe kishte tentuar të merrte kontrollin e një objekti ushtarak dhe të siguronte armë, duke vepruar sipas tyre në favor të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

I riu u dënua më 6 shkurt për veprën “moharebeh”, që përkthehet si “armiqësi ndaj Zotit”, një akuzë që në sistemin penal iranian dënohet me vdekje. Gjatë paraburgimit, ai thuhet se u mbajt për javë të tëra në izolim, ndërsa pamje nga marrja në pyetje u transmetuan në televizionin shtetëror.

Lexo më shumë  Suedia do të blejë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe anti-dronë

Organizata Amnesty International e dënoi ekzekutimin, duke e cilësuar atë “arbitrar” dhe duke theksuar se procesi ishte “thellësisht i padrejtë”, pasi dënimi u dha në më pak se një muaj nga arrestimi. Organizata ngriti shqetësime për përdorimin e rrëfimeve të detyruara dhe shkelje të garancive themelore për një gjykim të drejtë.

Ndërkohë, ka shqetësime për fatin e të burgosurve të tjerë që përballen me dënimin kapital. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, katër burra të tjerë – 19-vjeçari Mohammad Amin Biglari, 23-vjeçari Ali Fahim, 51-vjeçari Abolfazl Salehi Siavasani dhe 30-vjeçari Shahin Vahdatparast Kolour – janë transferuar në izolim para ekzekutimit.

Para publikimit të lajmit për ekzekutimin e Khatamit, princi në mërgim Reza Pahlavi deklaroi se regjimi iranian “po përgatitet të kryejë një tjetër krim të pafalshëm”, duke shtuar se të akuzuarit ndëshkohen “jo për atë që kanë bërë, por për atë që përfaqësojnë”.

Lexo më shumë  Zgjedhjet në Hungari/ Sondazhet: Tisza kryeson ndaj Orbanit, përqindje e madhe e votuesve të pavendosur

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtues i organizatës Iran Human Rights, tha se ekzekutimi u krye pas një “gjyqi thellësisht të padrejtë dhe mbi bazën e rrëfimeve të detyruara”, duke shtuar se ekzekutimet e fundit të protestuesve dhe të burgosurve politikë tregojnë për një përshkallëzim të represionit.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, dhjetëra të burgosur të tjerë janë në rrezik të menjëhershëm ekzekutimi në periudhën e ardhshme, ndërsa ka shqetësime se vëmendja ndërkombëtare është përqendruar kryesisht te zhvillimet gjeopolitike, duke lënë në hije shkeljet e të drejtave të njeriut brenda vendit.

Rruga Press

YouTube player