Lajme

Xhaferri: Nafta në Shqipëri më shtrenjtë se në Kosovë, ‘turizmi i karburantit’ i kushton shtetit 400 milionë euro

Deputeti i PD-së, Besart Xhaferri denoncoi diferencën e çmimit të naftës mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se taksat e larta po krijojnë një fenomen të ri social: “turizmin e karburantit”.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend ai u shpreh se për çdo litër naftë shqiptarët paguajnë të paktën 45 cent më shumë se qytetarët kosovarë, një diferencë që po i kushton buxhetit të shtetit rreth 400 milionë euro.

Xhaferri akuzoi qeverinë se politikat fiskale të saj nuk synojnë taksimin real të ndotësve, por mbledhjen e shpejtë të parave, të cilat më pas shpenzohen në projekte infrastrukturore të dyshimta, ndërsa qytetarët duhet të kalojnë kufijtë për të furnizuar mjetet e tyre me naftë.

Pjesë nga deklarata:

Këtë javë ishte pyetja që më bënin të gjithë: pse ne paguajmë naftën më shtrenjtë se në Kosovë? Paçka se është sqaruar disa herë që paguajmë naftën më të shtrenjtë për arsye të taksimit, për çdo litër nafte që është më e shtrenjtë se në Kosovë, duhet ta theksojmë dhe ta sqarojmë më në fund me detaje se si del kjo diferencë.

Shqipëria, krahasuar me Kosovën, paguan të paktën për çdo litër mbi 45 cent më shumë taksa, të cilat vijnë nga taksa e qarkullimit ku, patjetër, zoti kryeministër deklaroi se kush ndot ambientin duhet të taksohet si dhe disa taksa të tjera të fshehura, si rilicencim, karbon, markim, etj. Këto përfundojnë më pas me 20% TVSH mbi 45 cent për litër.

Por duhet të shohim edhe një fakt tjetër: në Shqipëri sot ekziston një fenomen që quhet “turizëm naftor”. Besoj i keni parë kufijtë në Muriqan, kufijtë pranë Hotit, kufijtë në Morinë, kufijtë në Qafëthanë, ku qytetarët e Shqipërisë mbajnë radhë të gjata këto javë për të shkuar dhe furnizuar mjetet me naftë. Po nuk ka ndodhur vetëm këto javë, por ndodh në mënyrë të përhershme, sepse fakti që për çdo litër mund të kursesh 45 cent shpesh është vendimtar: të shpëton jetën, mundësinë për të lëvizur dhe për të jetuar.

Nafta nuk është një luks, nuk i përket vetëm të pasurve, por mbi të gjitha i përket të varfërve, bizneseve dhe gjithë zinxhirit ekonomik.

Disa statistika: Në Shqipëri kemi 1 milion mjete motorike, ndërsa në Kosovë 450,000. Shpenzimi vjetor në Shqipëri është 1.3 miliardë litra naftë, që bën një mesatare prej 1300 L për mjet motorik, ndërsa në Kosovë shpenzohen 800 milionë litra, mesatarisht 1800 L për mjet. Kjo krijon një diferencë prej 400 milionë litrash që do të duhej të shkonin në shpenzime normale për mjetet motorike në Shqipëri.

A është kontrabandë? A është turizëm naftor? Apo çfarë rëndësie ka? Këto 400–500 milionë litra lëvizin në territorin shqiptar, por ku taksohen ato? Dhe këto po ndosin. Taksa që vendos shteti shqiptar nuk është për të taksuar ndotësit, por për të mbledhur sa më thjeshtë para. Vendoset taksa e lartë për të mbledhur lehtë para, të cilat pastaj shkojnë të investohen në ura që bien ose rrugë që nuk ekzistojnë.

Nëse do bënim një kalkulim ekonomik shumë të thjeshtë, duke taksuar aq sa Kosova, buxheti shqiptar do humbiste 520 milionë euro. Por nëse konsumi i real i furnizuar nga benzinat në Shqipëri do ishte korrekt, do rikuperonim gati 400 milionë euro, ose edhe më shumë. Dhe nëse ka një monopol në Shqipëri, ai është qeveria, jo tregtarët e naftës.

Rruga Press

Lexo më shumë  Shqiptarët më të kequshqyerit e Evropës/ Konsumojnë më pak se fqinjët por vuajnë ndotjen më të madhe prej vjedhjes
YouTube player