Serbia nuk do t’ia di për harmonizimin me BE-në, mbetet gjithmonë afër Putinit – Marrëveshje e re për furnizim me gaz nga Rusia
Serbia ka bërë marrëveshje për zgjatjen e kontratës ekzistuese për furnizim me gaz nga Rusia, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 30 mars, duke bërë që Moska të mbetet furnizuesja kryesore e Beogradit me gaz natyror.
Vuçiq njoftoi për këtë çështje pas një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin.
Marrëveshja e re është për tre muaj dhe, sipas saj, Serbia do të mund të importojë 6 milionë metra kub gaz nga Rusia.
Në një konferencë për media, Vuçiq tha se çmimi i gazit do të jetë ndërmjet 320 dhe 330 dollarë për 1 mijë metra kub. Këto kushte ai i vlerësoi si “shumë të favorshme”, për çka falënderoi Putinin.
Marrëveshja afatshkurtër e arritur në dhjetor skadoi më 31 mars.
Më shumë se 80 përqind të gazit Serbia e merr nga Rusia.
BE-ja pret nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim, që të harmonizohet me të gjitha vendimet e saj, por pavarësisht kësaj nuk ka asnjë ndryshim kursi në Serbi.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Teksa BE-ja vazhdon t’i japë Serbisë fonde, Serbia vazhdon të ndihmojë financimin e luftës së Putinit kundër Ukrainës, duke blerë gaz dhe naftë ruse.
Rruga Press

