KryesoreLajme

Haxhiu: Shtëpia e nënës Ferdonije na kujton sa i lartë ishte çmimi i lirisë

Në vazhdën e përvjetorëve të masakrave e vrasjeve te shumta të shqiptarëve, rrëmbimeve e krimeve të tjera te kryera nga forcat serbe gjatë luftës, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, përkujtoi sot katër djemtë dhe bashkëshortin e Ferdonije Çerkezit, duke u përkulur me nderim e respekt para dhimbjes së saj dhe të gjitha nënave që jetojnë me mungesën dhe me pritjen për drejtësi.

“Më 27 mars 1999, asaj iu morën katër djemtë Artani, Armendi, Ardiani, Edmondi dhe bashkëshorti Halimi. Edhe sot, eshtrat e dy djemve të saj dhe të bashkëshortit nuk janë gjetur, duke e mbajtur këtë plagë të hapur dhe duke e shtyrë drejtësinë edhe më tej. Shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi na e kujton sa i lartë ishte çmimi i lirisë”, theksoi kryetarja Haxhiu.

Lexo më shumë  Berisha: Rama dhe Balluku çuan vrasës për të kërcënuar prokurorin e SPAK

Ajo përkujtoi edhe masakrat e tjera qe u kryen në po të njëjtën ditë gjithandej Kosovës, atë në Dardaninë e Pejës, ku brenda pak orësh u vranë 40 civilë shqiptarë, në Klladernicë të Skënderajt, ku u masakruan 75, në Mamushë 18, ndërsa në Obiliq 10 anëtarë të familjes Rama. Në Fushë Kosovë sot përkujtohen po ashtu 168 shqiptarë të vrarë.

“Republika jonë qëndron mbi një histori sakrifice që nuk mund të zbehet. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e vendit”, theksoi kryetarja Haxhiu.

YouTube player