BotaKryesore

Politico: Rusia krijon kampe trajnimi në Serbi dhe Bosnje për agjentë sabotazhi në Evropë

Rastet gjyqësore në Moldavi po hedhin dritë mbi rrjetin transnacional të Rusisë për rekrutimin, trajnimin dhe dërgimin e spiunëve dhe sabotatorëve.

Kur Anatoli Prizenco u takua me Maxim Roșca jashtë një marketi në qendër të Chișinăut, ai i ofroi një “arratisje” të lehtë nga puna e tij në një servis lokal automjetesh: një udhëtim dyjavor të paguar, me aktivitete në natyrë dhe udhëtime.

Sipas dëshmisë së Roșcës para një gjykate moldave, Prizenco dha pak detaje, duke i thënë vetëm se do të fitonte nga 300 deri në 500 dollarë — dhe se udhëzimet e mëtejshme do t’i vinin nga një kontakt në Moskë.

Brenda pak javësh, Roșca përfundoi në kampe trajnimi në Bosnje dhe Serbi. Aty, pjesëmarrësit mësonin të fluturonin dronë, të përdornin pajisje ndezëse dhe të shmangnin forcat e rendit gjatë protestave — pjesë e asaj që hetuesit moldavë thonë se ishte një përpjekje e koordinuar e mbështetur nga Rusia për të rekrutuar operativë për operacione destabilizuese, deri në Francë dhe Gjermani.

Hetimet e Moldavisë mbi përpjekjet e rekrutimit të lidhura me Rusinë po zhvillohen në kohën kur vendet evropiane paralajmërojnë se Moska po zhvillon një fushatë “lufte hibride”, me synim destabilizimin e politikave të brendshme.

Autoritetet franceze, tashmë në gjendje gatishmërie para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, kanë dokumentuar fushata të nivelit të ulët dezinformimi nga rrjete ruse gjatë zgjedhjeve lokale të këtij muaji. Në Gjermani, qeveria thirri ambasadorin rus në dhjetor, duke pretenduar se Moska kishte organizuar sulme kibernetike dhe kishte ndërhyrë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar.

Duke qenë se kanë përjetuar disa nga fushatat më agresive të Moskës gjatë viteve 2024 dhe 2025, zyrtarët moldavë thonë se vendi i tyre është në pozitë të mirë për t’i ndihmuar fqinjët evropianë të përballen me sulmet ruse.

Rekrutimi i rinjve dhe oferta e paguar

Kremlini rriti përdorimin e ndërmjetësve (proxies) pasi shumë kryeqytete evropiane dëbuan dhjetëra diplomatë rusë — disa prej tyre të dyshuar si agjentë inteligjence — pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Prokurorët moldavë pretendojnë se Prizenco ka vepruar si rekrutues në një rrjet më të gjerë me bazë jashtë vendit, të cilin tashmë e kanë çmontuar. Ky rrjet, sipas tyre, kishte trajnuar dhjetëra persona si instrumente për fushata ndikimi dhe ndërprerjeje të lidhura me Rusinë. Ai pritet të paraqitet në gjykatë të enjten në Chișinău.

Autoritetet franceze po e hetojnë gjithashtu Prizencën si të dyshuarin kryesor për rekrutimin e një grupi qytetarësh moldavë që vizatuan yje të Davidit në muret e Parisit pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael — një veprim që duket se synonte të nxitë tensione politike.

Prokurorët moldavë po hetojnë mbi 80 persona të dyshuar për nxitje të çrregullimeve masive. Njëzet prej tyre janë paditur zyrtarisht. Të paktën dy persona të tjerë të lidhur me kampet dyshohen për përfshirje në operacione të tjera destabilizuese në Francë dhe Gjermani.

“Këta të rinj, folës të rusishtes, u rekrutuan, u transportuan në kampe të organizuara posaçërisht dhe u trajnuan në taktika, përfshirë mënyrën si të thyejnë kordonët e policisë,” deklaroi për POLITICO ministrja e Punëve të Brendshme e Moldavisë, Daniella Misail-Nichitin.

“Disa u trajnuan në përdorimin e pajisjeve pa pilot. Madje trajnimet shkonin deri në ofrimin e ndihmës së parë mjekësore në rast dhune.”

Roșca ra në vëmendjen e autoriteteve moldave më 11 tetor 2024, kur u ndalua teksa po hynte në vend nga Rumania me një minibus Mercedes-Benz.

Brenda automjetit, policia gjeti valuta serbe dhe boshnjake, elektrikë dore, karta SIM dhe USB, si dhe pjesë dronësh, syze realiteti virtual dhe pajisje kontrolli me radio. U sekuestruan gjithashtu gjashtë objekte të zeza, të përshkruara në dokumentet gjyqësore si pajisje njëpërdorimëshe për hedhjen e granatave nga ajri.

Tre pasagjerët e autobusit u dënuan muajin e kaluar me nga katër deri pesë vjet burg për akuzën e nxitjes së çrregullimeve masive. Roșca — i cili thotë se u rrah pasi refuzoi të merrte pjesë në trajnim — dëshmoi si dëshmitar.

Në gjykatë, Roșca deklaroi se fillimisht udhëtoi drejt Republikës Srpska, një rajon i Bosnjës me shumicë etnike serbe, ku u dërgua në pyjet e dendura rreth qytetit Banja Luka.

Aty, ai dhe pjesëmarrës të tjerë u informuan se do të trajnoheshin për të marrë pjesë në protesta, për të operuar dronë dhe për të përgatitur granata tymuese.

Trajnimi u zhvillua pak para zgjedhjeve presidenciale të vjeshtës 2024, ku presidentja pro-evropiane Maia Sandu u rizgjodh, në një fushatë të shoqëruar nga ndërhyrje ruse.

Lexo më shumë  Vendos Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit i pavlefshëm, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Sipas transkripteve gjyqësore, pjesëmarrësve u ishte thënë se nëse Sandu fitonte zgjedhjet, “do të kishte luftë në vend, ashtu si në Ukrainë.”

Një dëshmitar përshkroi disa ditë trajnim në një kamp me katër tenda pranë një lumi, ku rekrutët mësonin të pilotonin dronë me syze dhe joystick. Instruktorët ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar me lidhje me grupin mercenar Wagner, sipas shërbimeve të inteligjencës moldave.

Më pas, pjesëmarrësit u dërguan në Banja Luka për një ushtrim praktik: të regjistronin lokacionet e ndërtesave administrative dhe qeveritare dhe të identifikonin vende të mundshme për nisjen e dronëve.

Sipas të njëjtit dëshmitar, ata u transportuan në qytet nga një burrë i quajtur “Mircho”, i cili përmendet edhe në dëshminë e Roșcës.

Kampet e trajnimit dhe taktikat e sabotazhit

Edhe pse mbiemri nuk përmendet në dokumentet gjyqësore, shërbimet moldave të inteligjencës deklaruan gjatë arrestimeve se Mircho Angelov ishte ndër 11 “shtetas të huaj që kishin ndihmuar kampet e trajnimit në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi, duke vepruar si instruktorë.”

Roșca i tha Balkan Investigative Reporting Network dhe portalit moldav CU SENS se Angelov kishte për detyrë edhe furnizimin e pjesëmarrësve me ushqim.

Angelov, shtetas bullgar, u dënua me tre vjet burg nga një gjykatë në Paris vjeshtën e kaluar, për komplot për të vizatuar gjurmë të kuqe duarsh në murin jashtë Muzeut të Holokaustit në Paris — veprim që gjyqtarët francezë e përshkruan si operacion destabilizues të koordinuar nga jashtë.

Angelov akuzohet gjithashtu nga Moldavia për akte vandalizmi në Chișinău.

Një tjetër person, Danil Dilan, 22 vjeç nga rajoni separatist pro-rus i Transnistrisë, u dënua me tre vjet burg në nëntor.

Në kuadër të një marrëveshjeje pranimi faji, Dilan pranoi në gjykatë se kishte udhëtuar në Düsseldorf në vitin 2024 për një ndeshje të Kampionatit Evropian UEFA midis Sllovakisë dhe Ukrainës, ku ishte kërkuar të valëviste një flamur ukrainas, sipas transkripteve të siguruara nga POLITICO.

Dilan tha se kishte refuzuar, por gjatë ndeshjes u shpalos një flamur ukrainas me mbishkrimin “Na ktheni zgjedhjet.” Kremlini e përdori shpejt këtë incident për të kërkuar që Ukraina të mbajë zgjedhje për të zëvendësuar presidentin Volodymyr Zelenskyy.

Dilan deklaroi gjithashtu se kishte marrë një ofertë nga një instruktor kampi për të udhëtuar në Paris gjatë Lojërave Olimpike Verore 2024 për të kryer veprime destabilizuese, por nuk e kishte pranuar.

Dëshmitarët në gjykatë thanë se pjesëmarrësit në kampe paguheshin me kriptovaluta përmes platformave si Trust Wallet.

Para se të përballej me ligjin, Prizenco drejtonte një biznes shitjeje me pakicë, duke promovuar dhe shitur produkte kozmetike të markës suedeze Oriflame për klientë moldavë.

Në vitin 2019, bashkëshortja e tij Olga Prizenco i tregoi revistës moldave RED se burri i saj kishte kaluar nga shitja e mollëve në Moskë në ndërtimin e një biznesi në Moldavi, bashkë me të dhe katër fëmijët e tyre.

Në fillim të viteve 2010, Prizenco ishte ndaluar për pak kohë lidhur me një skemë mashtruese financiare (Ponzi) që përfshinte një bankë ruse ku ai figuroi si përfaqësues lokal, sipas gazetës hetuese moldave Ziarul de Gardă.

Më pas ai u përfshi edhe në politikë. Në vitin 2014, ai bëri fushatë për një parti të sapokrijuar, Lëvizja Popullore për Bashkimin Doganor, e cila mbështeste integrim më të ngushtë ekonomik me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Prokurorët dyshojnë se ai nuk veproi i vetëm. Sipas tyre, ai bashkëpunoi me një person “në pozitë më të lartë” të quajtur Vladimir Firsov, i cili besohet të jetë në Rusi, sipas prokurorit kryesor të rastit, Vitalie Chișca.

“Ne dyshojmë dhe e kuptojmë se këto operacione nuk udhëhiqen realisht nga [Prizenco], por se ka dikë pas tyre, ndonjë shërbim,” tha Chișca për POLITICO.

Prizenco ka pranuar se organizoi pesë moldavë të tjerë për të spërkatur me bojë dhjetëra yje të Davidit në ndërtesa në Paris, duke i thënë gazetës franceze Libération se po vepronte në mbështetje të hebrenjve evropianë.

Qeveria franceze e përshkroi operacionin e Prizencos si pjesë të “një strategjie oportuniste dhe të papërgjegjshme që synon të shfrytëzojë krizat ndërkombëtare për të mbjellë konfuzion dhe për të krijuar tension në debatin publik në Francë dhe Evropë.”

Viginum, agjencia kombëtare franceze që monitoron dezinformimin online, ka akuzuar një rrjet botësh rusë se ka amplifikuar përhapjen e fotografive të yjeve të Davidit në rrjetet sociale.

Veaceslav Valico, një tjetër pjesëmarrës në këtë operacion, tha se veprimi kushtoi më pak se vlera e orës së tij dhe telefonit: rreth 2,000 euro.

Lexo më shumë  Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen arrijnë rekordin prej 1.4 trilion dollarësh

“Unë para së gjithash jam sipërmarrës, biznesmen, dhe së dyti jam aktiv në lëvizje qytetare,” i tha ai POLITICO-s në një intervistë në qendër të Chișinăut. “Ky veprim nuk ishte aspak i planifikuar si antisemitik… ishte një gjest ndaj Shtetit të Izraelit.”

“Kur pranova këtë veprim, nuk pashë asgjë negative,” shtoi ai.

Ndërsa Prizenco koordinonte nga jashtë vendit, Valico fotografoi yjet dhe i publikoi. Dy persona të tjerë — një burrë dhe një grua — që bënë pikturimin u arrestuan në vendngjarje.

Sipas dokumenteve të policisë franceze të siguruara nga POLITICO, të dy personat e arrestuar e identifikuan Prizencën si punëdhënësin. Pasi u liruan nga policia, të dy u larguan nga Franca.

Rrjeti rus dhe fushatat hibride

Valico tha se Prizenco ishte kontaktuar për herë të parë në Telegram nga dikush i quajtur “David” dhe se fotografitë i kishte dërguar po atij personi.

“E njoh Anatoli Prizencën prej më shumë se 10 vitesh… Më ftoi të marr pjesë sepse e di që jam njeri i arsimuar dhe e njoh mirë botën jashtë vendit,” tha Valico. “Detyra ime ishte të organizoja logjistikën, të sigurohesha që njerëzit të bënin gjithçka si duhet, të mos dëmtoheshin dhe t’i ndihmoja të ktheheshin në shtëpi.”

Ai shtoi se e ndërpreu komunikimin me Prizencën pas pasojave të operacionit në Paris.

“Mund të supozoj sot se Anatoli dinte ose kishte hamendësuar më shumë sesa më kishte treguar,” tha ai.

Prizenco refuzoi kërkesat e POLITICO-s për intervistë. Në një seancë gjyqësore për një rast tjetër, ai mohoi se kishte vepruar si rekrutues për operacione destabilizuese, duke insistuar se vetëm kishte ndihmuar njerëz të regjistroheshin në kampe rekreative. Avokatja e tij, Barba Daria, deklaroi se ai i mohon akuzat.

Operacione konkrete dhe incidente në Evropë

E vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës, Moldavia ndodhet në periferi të Bashkimit Evropian, por brenda zonës që Moska tradicionalisht e ka konsideruar si sferë të interesit. Transnistria, një rrip territori në kufi me Ukrainën, është kontrolluar nga politikanë pro-rusë që nga shkëputja në vitet 1990 gjatë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Së fundmi, Moldavia është shndërruar në një front të rëndësishëm të luftës hibride të Rusisë kundër Evropës. Qeveria e Sandut e ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në referendumin e vitit 2024 për anëtarësim në BE, si dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit pasues. Moska i ka mohuar akuzat.

Në një dokument të siguruar nga POLITICO dhe të shpërndarë nga Moldavia tek zyrtarët e BE-së menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, qeveria dokumentoi se priftërinj ortodoksë në vend kishin marrë “udhëzime për të përhapur dezinformim shtatë ditë në javë, jo vetëm të dielave.” Po ashtu, Rusia u kishte ofruar qytetarëve “udhëzime se si të krijojnë dhe menaxhojnë kanale në Telegram.”

Qeveria ka theksuar edhe përdorimin e rrjeteve masive të blerjes së votës, protestave të inskenuara, sulmeve kibernetike, fermave të trollëve dhe “deepfake”-eve të gjeneruara me inteligjencë artificiale — me ndërmjetës të paguar, ndonjëherë me kriptovaluta, sipas një sistemi bonusësh financiarë të bazuar në performancë.

Roli i Moldavisë dhe lufta hibride ruse

Moldavia thotë se po çmonton rrjete të operativëve të trajnuar jashtë vendit dhe të sponsorizuar nga Moska që nga viti 2024.

“Po flasim për trajnime të organizuara në Serbi, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Federatën Ruse,” tha ministrja Misail-Nichitin.

Ajo tha se raste si ai i Prizencos tregojnë se rrjetet që synonin Moldavinë kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe përtej kufijve. Si shembull, ajo përmendi një komplot të dyshuar për atentate ndaj figurave publike në Ukrainë.

“Po flasim për më shumë se 90 objektiva, përfshirë gazetarë të njohur, zyrtarë të mbrojtjes dhe drejtues të lidhur me infrastrukturën kritike të Ukrainës, të cilët do të vriteshin me urdhër,” tha ajo.

Sipas saj, rekrutuesit synonin “burra të rinj të cenueshëm”, pa precedent penal dhe, nëse ishte e mundur, me pasaporta të BE-së — disa prej tyre vetëm 14 ose 15 vjeç.

Operacionet në Francë, si vizatimi i yjeve të Davidit apo gjurmëve të kuqe të duarve, përfshinë qytetarë nga vende të Evropës Lindore, përfshirë Moldavinë, Bullgarinë dhe Serbinë.

“Rasti i Moldavisë është unik,” thuhet në dokumentin e siguruar nga POLITICO. Por ai shton se “as shtetet anëtare të BE-së dhe as fqinjët e saj nuk janë të sigurt nga kërcënimet hibride.”/Poitico/

YouTube player