Sport

Premier League e fillon në “flakë“ këtë fundjavë, përballen më të mëdhenjtë

Në kampionatin anglez vërtetë diferencat janë të pakta, por përballjet e sotme me Manchester City-Arsenal apo Liverpool-Chelsea pritet të dhurojnë vërtet spektakël

Teksa mbeten vetëm pak ditë që të mbyllet sezoni i merkatos së verës skuadrat e kampionatit anglez bëhen gati për të luajtur ndeshjet e treta të edicionit të 30 të Premier League-s.

Kalendari ofron menjëherë dy supersfida takimin Liverpool– Chelsea, një duel tepër i ashpër që vë përballë dy nga katër skuadrat pretendente për trofeun më të lakmuar, përsa i përket kompeticioneve në ishull por edhe sfidën mes Manchester City-t dhe Arsenalit që do t’i japë start javës së 3-të në orën 13:30.

Dy klubet e Manchester-it City dhe United lanë shpejt pikë rrugës, kështuqë sfida Liverpool–Chelsea mbetet tepër e vecantë për të parë ekipin që do të vazhdojë rrugën pa humbje, drejt misionit për të sulmuar titullin e kampionatit anglez.

Rivaliteti ndërmjet këtyre dy klubeve është rritur ndjeshëm, sidomos në dy dekadat e fundit dhe kulmin padyshim një përballje e tillë e arriti me përplasjet e forta ndërmjet trajnerëve të mirënjohur iberikë Jose Mourinho e Rafael Benitez.

Përgjatë dekadës së fundit Manchester City ka dominuar futbollin anglez duke fituar 5 nga 10 edicionet e fundit, sidoqoftë gjatë kësaj periudhe përvec klubeve si Leicester dhe Manchester United kanë qenë të pranishëm në betejën për titullin gjithashtu edhe Liverpool-i me Chelsea-n.

Në radhë blutë kuotohen të dytët, ndërsa “the reds” pozicionohen nga bookmakers-at në vendin e tretë, megjithatë nga shumë analistë në vend ekipi londinez ka mundësi vërtet shumë të mira për t’u kthyer te titulli pas pesë vjetësh.

Dy ekipet kanë pikë të plota pas dy javëve të para, madje Liverpool-i me Chelsea-n kanë shifra identike edhe përsa i përket golaverazhit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
“The reds” nuk kanë bërë ndonjë ndryshim të rëndësishëm, me përjashtim të qendërmbrojtësit francez të Leipzig-ut Ibrahima Konate, që la Bundesliga-n për të kaluar në Merseyside për shumën e 36 milionë stërlinave.

Në krahun tjetër Thomas Tuchel ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore ecurinë e Chelsea-t dhe nën drejtimin e trajnerit gjerman blutë triumfuan për herë të dytë në Champions League. Tekniku shvab i cili do të mbushë 48 vjec vetëm pak orë pas këtij takimi do të bëjë cmos për ta festuar në mënyrën më të mirë të mundshme datëlindjen, me shumë gjasa edhe në shoqërinë e futbollistëve të tij. Me të drejtë tekniku bavarez u shpall si trajneri më i mirë i UEFA-s, gjithsesi tani ai ndihet shumë më i fortë, duke pasur parasysh ardhjen e Romelu Lukaku-t.

Tuchel dhe Klopp kanë pasur ndër vite një rrugëtim të ngjashëm, që kalonte nga destinacione si Mainci dhe Borusia e Dortmundit në Bundesligë. Tuchel nuk ka në dispozicion dy lojtarë si Ruben Loftus – Cheek dhe Christian Pulisic, ndërsa te klubi nga Merseyside 54-vjecari tjetër shvab ka në dyshim brazilianin Fabinho bashkë me zëvendëskapitenin James Milner.

Për herë të fundit këto dy ekipe janë takuar më datën 4 mars dhe blutë ia dolën për të triumfuar brenda në Merseyside, falë një goli të realizuar në fundin e pjesës së parë nga Mason Mount.

Teksa janë përballur plot 15 herë në pesë vitet e fundit, në të gjithë kompeticionet. Miqtë madje kanë bilanc të barabartë përsa i përket 10 sfidave të fundit në Merseyside: 3 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje. Ndeshja do të luhet në orën 18:30 në Anfield dhe do të drejtohet nga kryesori nga Manchesteri Anthony Taylor. /dosja/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *