Robert Lewandowski për Shqipërinë: I respektojmë, kjo për ne është finale. Shqipëria gjithmonë ka qenë një rivale e vështirë për ne
Polonia do të presë në Varshavë përfaqësuesen e Shqipërisë në kuadër të fazës “play-off” për Botërorin, në një përballje që pritet të jetë vendimtare për të dy skuadrat.
Në prag të këtij takimi, sulmuesi i përfaqësueses polake, Robert Lewandowski, vlerësoi rëndësinë e ndeshjes dhe rolin e tifozëve vendas.
“Ndeshjet në stadiumin kombëtar janë gjithmonë të veçanta. Unë kam lindur në Varshavë dhe mund të them me plot gojën se tifozët këtu janë një plus i madh. Gjithmonë ka qenë kështu”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te objektivi i skuadrës, sulmuesi theksoi se diferenca do të bëhet nga detajet:
“Na duhet një gol më shumë se rivali. Nuk dua që të bëj krahasime me ndeshjen e 2023-it. Shqipëria gjithmonë ka qenë një rivale e vështirë për ne, por takimi i radhës do të luhet në fushën tonë. I respektojmë, kjo për ne është finalja e parë dhe s’ka vend për gabime.”
Lewandowski foli edhe për momentet vendimtare të ndeshjeve, duke ndalur te penalltitë:
“Në momente kyçe penalltitë janë gjithmonë të vështira. Ka momente kur lojtarët edhe mund të hezitojnë. Polonia ka plot lojtarë, të cilët mund të ekzekutojnë penalltitë. Unë jam gati, por edhe unë kam momente që nuk jam i sigurt”, deklaroi ai.
Përballja në Varshavë shihet si një “finale” për të dy ekipet, me një biletë drejt fazës së ardhshme që do të vendoset në një sfidë me tension të lartë.
Rruga Press

