Pas 83 vitesh, Kosova do të duhej ta aneksonte Shqipërinë, përndryshe shumë shpejt Serbia ka për ta aneksuar Shqipërinë
Nga Shkëlzen Gashi
Duke e lexuar një artikull të Nebil Çikës, të botuar në Tiranë në dhjetor të vitit 1943, në të cilin flet për aneksimin e Kosovës nga Shqipëria, po mendoja se 83 vjet pas botimit të këtij shkrimi, në fakt Kosova do të duhej ta aneksonte Shqipërinë, përndryshe shumë shpejt Sërbia ka për ta aneksuar Shqipërinë.
Fragment nga artikulli i autorit Nebil Çika:
“Vetëm po ta kemi Kosovën ne mund ta ngrehim një shtet të lirë dhe të vetëmjaftueshëm, me kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale. Me Kosovën mund të sigurojmë dalëngadalë njëfarë pavarësie ekonomike me bazë në mes të ndërvarësisë e cila është një ligj që i lidhë ndërmjet tyre kombet e ndryshme kontinentalë dhe interkontinentalë. Fuqia jonë pirolifike (e shtesës së njerëzve) dyfishohet duke e pasur Kosovën. Gjithashtu shtohet shumë edhe pesha jonë politike, thjesht sepse pesha e një million njerëzve është shumë më e pafuqishme se ajo e dy milionë njerëzve. Kosova ne na duhet medoemos jo vetëm për arsye biologjike, për aftësi ekonomike dhe për peshë politike, por edhe për zhvillimin e jetës mendore. Një million vetë nuk ushqejnë dot dhjetë njerëz që rrojnë me pendën e tyre. Një libër, një gazetë, një revistë s’ka veçse pesë mijë blerës në maksimum. Me Kosovën blerësi do të dyfishohet dalëngadalë. Është një ligj i natyrshëm pas të cilit nevoja e krijon gjymtyrën. Me Kosovën do të kemi nevojë për më shumë mjekë, për më shumë avokatë, për më shumë gazetarë, etj; letërsia, artet do të marrin një hov tjetër, një vrull. Do të kemi nevojë për më shumë shkolla, për më shumë intelektualë dhe pra jeta mendore do të marrë një zhvillim shumë më të madh sesa sot. Ne vetëm duke pasur Kosovën mund të jemi të zotët të ngrehim një shtet që të jetë i denjë për këtë emër. Por, ne shqiptarët e Shqipërisë së 13-ës, ne mentarët e Shqipërisë, gjer më sot s’kemi bërë kurrgjë për të krijuar dogmën e Kosovës dhe për ta futur këtë dogmë mu në thellësi të shpirtërave”.
Rruga Press

