Lajme

Opozita nuk ishte e pranishme – Kryekuvendarja Haxhiu i kërkon Kushtetueses ta pezullojë afatin për zgjedhjen e presidentit

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit. Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues.

“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar ajo.

Të enjten, me vetëm 66 deputetë të pranishëm, Kuvendi i Kosovës është ndalur në hapje të seancës për zgjedhjen e presidentit. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen nëse plotësohen kushtet.

Lexo më shumë  President nga populli, LVV: Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet e Presidentes Osmani

Për të pasur kushte për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhjet me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.

Një ditë më parë, Haxhiu u shpreh se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Ajo pati thënë se nuk është e përcaktuar se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas datës 6. Sipas saj, në këtë rast hyhet në një terren tjetër, që e ka quajtur “terren të pashkelur”.

Lexo më shumë  Rruga Egnatia/ Rreziku i zhdukjes mes asfaltit dhe neglizhencës institucionale

Në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.

E neni 86, thotë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i përfundon më 4 prill.

E të enjten, Osmani çoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese për të mundësuar që zgjedhja e presidentit të bëhet direkt me votë të popullit. Në mungesë të kuorumit, këto propozime mbetën pa u miratuar.

Rruga Press

YouTube player