‘Aksi nacional Librazhd-Prrenjas,e izoluar prej 11 ditësh’, gazetarja: Rruga e bllokuar i detyron të sëmurë e të moshuar të ecin në këmbë
Prej 11 ditësh, aksi nacional Librazhd-Prrenjas, arteria kryesore që lidh juglindjen me pjesën tjetër të vendit, ka mbetur i bllokuar totalisht pas një rrëshqitje masive dheu në vendin e quajtur “Arat e Gurrës”. Kjo situatë ka shkaktuar një izolim de fakto të rajonit, duke e kthyer jetën e përditshme të banorëve në një kalvar të vërtetë.
Qytetarët që kanë nevoja urgjente, qoftë shëndetësore apo të tjera, për të udhëtuar drejt Elbasanit apo Tiranës, përballen me një sfidë thuajse të pamundur.
Për të kaluar zonën e bllokuar, ata detyrohen të ecin rreth 3 kilometra në këmbë në një terren të vështirë, deri në pikën ku mund të gjejnë një mjet tjetër transporti.
Kjo vështirësi prek veçanërisht të moshuarit, të cilët sipas gazetares duhet ta përshkojnë këtë rrugë për t’u furnizuar me ilaçe apo ushqime bazike në Librazhd.
Ndërkohë, edhe rrugët alternative paraqesin problematika serioze.
Rruga tjetër përmes Hotolishtit, e cila konsiderohet tejet e vështirë dhe e rrezikshme, prej katër ditësh është mbyllur për mjetet e transportit mbi 3.5 tonë dhe për autobusët me mbi 40 pasagjerë, duke e kufizuar kalimin vetëm për autovetura dhe furgona.
Ekspertë të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar kanë kryer studime për të përcaktuar shkaqet dhe shtrirjen e rrëshqitjes. Një nga pistat kryesore është se pesha e dherave të depozituara më herët në anë të rrugës mund të ketë shkaktuar shembjen.
Pavarësisht punimeve, ende nuk ka një afat të qartë se kur do të mundësohet zhbllokimi i rrugës.
Ndërsa pritet një deklaratë zyrtare nga drejtuesit e ARRSH-së, banorët e juglindjes mbeten të izoluar dhe përballen çdo ditë me pasiguritë dhe vështirësitë e shkaktuara nga kjo situatë emergjente.
Deklarata e plotë:
” Aktualisht, kjo është dita e 11 që prej shembjeve të para që pësoi aksi nacional Librazhd-Prrenjas, pikërisht në vendin ku ne ndodhemi në Arat e Gurrës.
Në fakt, kjo ka ndikuar mjaft në jetën e të gjithë banorëve të zonës, por dhe të të gjithë juglindjes, të cilët do duhet që të udhëtojnë nga juglindja drejt Tiranës apo drejt Elbasanit për, qoftë dhe për nevojat e tyre, por dhe për arsye të shumta shëndetësore.
Në këto ditë banorët janë munduar që të ulin në fakt dhe lëvizjen në këtë aks, për shkak të vështirësive të shumta dhe për, për shkak të rrugës së vështirë alternative që duhet të ndjekur nga Hotolishti drejt Përrenjasit.
Ndërkohë që ata banorë të cilët do të duhet të lëvizin, ë, ecin rreth 3 km në këmbë, në fakt, në rrugën më të shkurtër alternative që është kjo ku unë ndodhem, për të shkuar në pjesën tjetër deri në hyrje të Dragostunjës për të hipur në automjetin e transportit dhe për të shkuar drejt Librazhdit apo drejt qyteteve të tjera. Në fakt, do të duhet që banorët ta marrin këtë rrugë në këmbë.
Janë të moshuar shumica e tyre, por do të duhet që ta marrin për të shkuar për të blerë ilaçe në Librazhd ose dhe për t’u furnizuar me ushqime.
Ndonëse është e vështirë që t’i mbash këto të fundit në dorë për 3 km apo dhe më tepër deri në, derisa të hipin në automjetin tjetër të transportit që u pret në dalje të Dragostunjës, pikërisht në vendin tjetër të bllokimit të rrugës.
Ndërkohë që pritet që të kemi gjatë ditës së sotme një përgjigje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar lidhur me afatet se kur do të përfundojnë punimet për hapjen e rrugës së re alternative. Aktualisht po shikohen dy mundësi, ku ajo që është më e favorizuar është rruga alternative pranë hekurudhës që ndodhet në anë të rrugës së prishur.
Ka përfunduar gjithashtu dhe devijimi i të gjithë rrjedhës së lumit Shkumbin, por nuk përjashtohet, pra ekziston ende një mundësi e vogël për të rehabilituar rrugën ku ne ndodhemi, pra, ë, shumë pranë pjesës së shembur totalisht tanimë prej 11 ditësh.
Por ende pritet që të kemi dhe një deklaratë zyrtare nga kreu i ARRSH-së ditën e sotme. Por ata që e vuajnë më tepër këtë janë banorët e zonës, siç e përmenda pak më herët.
Kemi pasur gjatë ditëve të fundit nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, të cilët kanë kryer studime në zonë për të parë qoftë edhe shkakun, por edhe deri ku ka arritur shembja. Në fakt, gjatë ditëve të fundit është bërë edhe studimi i zonës me anë të sondave.
Siç duket pas krahëve të mi, është bërë edhe sheshimi i të gjithë inerteve apo i masave të dherave që janë hedhur gjatë gjithë kësaj kohe për të vijuar ndërtimin e korridorit të tetë për të, si të themi, për të liruar sadopak peshën dhe presionin mbi rrugën ekzistuese, pasi dyshohet se mbi të, dheu i hedhur ka shkaktuar dhe rrëshqitjen, duke qenë se vetë banorët hedhin dyshime mbi këtë, por nuk përjashtohet në fakt si mundësi që e gjithë situata të jetë krijuar nga dheu i hedhur”.
Rruga Press

