Vila e Enver Hoxha të kthehet në muze të krimeve të komunizmit, jo në hapësirë të kamufluar me art bashkëkohor
Andi Tepelena ka reaguar përmes një statusi publik lidhur me përdorimin e vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut, duke kundërshtuar transformimin e saj në hapësirë për art bashkëkohor.
Sipas tij, vende të tilla me ngarkesë të fortë simbolike duhet të shërbejnë për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe jo të “kamuflohen” përmes aktiviteteve që, sipas tij, zhvendosin vëmendjen nga e kaluara diktatoriale.
“Transformimi nga vende të krimit në vende të artit, jo vetëm nuk shëron dhimbjen, por shtrembëron vetëdijen dhe reflektimin,” shprehet Tepelena, duke shtuar se vila duhet të kthehet në një muze të krimeve të komunizmit, në mënyrë që brezat të mos harrojnë të kaluarën.
Ai shpreh gjithashtu keqardhje për artistët e huaj që morën pjesë në aktivitetet e zhvilluara aty, duke theksuar se ata nuk kanë lidhje me historinë totalitare të Shqipërisë dhe, sipas tij, nuk mund të ndjejnë peshën simbolike që mbart ajo godinë.
Në reagimin e tij, Tepelena përmend edhe shembjen e Teatri Kombëtar, duke e krahasuar situatën me rrezikun që, sipas tij, kanë përjetuar artistët shqiptarë gjatë atij episodi.
Rruga Press

