KryesoreLajme

Shqipërisë po i ikin të rinjtë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç

Shqipëria po vijon të vuajë nga hemorragjia e popullsisë edhe pas më shumë se 30 viteve tranzicion, ku po dominon largimi i të rinjve. Të dhënat e Eurostat treguan se vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë. Vetëm pas pandemisë, në 4 vjet, për periudhën 2021-2024, nga vendi kanë ikur të paktën 180 mijë persona dhe këtu nuk përfshihen të dhënat e Greqisë dhe as Mbretërisë së Bashkuar, me këtë të fundit që pa një valë ikjesh që kulmoi në 2022-n. ritmet e emigracioni u përshpejtuan pas pandemisë.

Eurostat ka publikuar dhe të dhënat e detajuara sipas grupmoshave, të personave që janë larguar nga Shqipëria në 2024-n. Sipas përpunimeve të “Monitor” është i dukshëm dominimi i të rinjve. Grupi kryesor që ikin janë midis 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë persona, ose 14.3% të totalit. Pas tyre vijnë të rinjtë e moshës 30 deri në 34 vjeç, me 13% të totalit.

Dukuri e fortë është dhe largimi i familjeve të reja, me fëmijë të vegjël, teksa grupmosha nën 15 vjeç përbënte gati 18% të të larguarve. Në total, 62% e personave që kanë ikur emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme vitale dhe me përvojë e tregut të punës gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve. Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se ka një ulje të moshës së emigracionit. Psh në 2019-n, grup mosha kryesore që emigroi ishte ajo midis 30-34 vjeç, me 15.6% të totalit.

Lexo më shumë  Sa herë që Aleksandar Vuçiqi është i izoluar, Edi Rama është i gatshëm t’i dalë në ndihmë (madje edhe në dëm të Kosovës)

Largimi i të rinjve është një nga arsyet kryesore që ka bërë që mosha mediane, (ajo që e ndan popullsisë përgjysmë), të rritet me ritme shumë më të shpejta se në Bashkimin Europian. Të dhënat e tjera të Eurostat bënë të ditur se Shqipëria kishte një moshë mediane 44.3 vite në 2025, shumë afër mesatares europiane prej 44.9 vitesh.

Në 2015-n, mosha mediane ishte 34.7 vjeç. Kjo do të thotë që në 2025-n, gjysma e popullsisë ishte nën 44.3 vjeç, ndërsa 10 vite më parë Shqipëria ishte shumë më e re, me gjysmën e popullsisë që ishte më e re se 34.7 vjeç.

Ikja e grupmoshës riprodhuese ashtu dhe nga ndryshimi i stilit të jetesës kanë bërë që dhe lindjet të bien ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në historinë e saj modern. Shifrat e fundit të vitit 2025 tregojnë një rënie drastike të numrit të lindjeve me rreth 74% krahasuar me fillimin e viteve ’90, ku Shqipëria regjistronte një rekord prej 82,125 lindjesh, ndërsa 35 vite më vonë, ky numër ka zbritur në nivelin kritik prej 21,425 lindje.

Lexo më shumë  Starmer: SHBA-ja mund të përdorin bazat britanike për sulme mbrojtëse kundër raketave të Iranit

Faktorët kryesorë që kanë ushqyer këtë trend janë plakja progresive e popullsisë, largimi i të rinjve, që po vazhdon me ritme të larta dhe ulja e shkallës së fertilitetit në vetëm 1.21 fëmijë për grua.

Ky ndryshim i modelit të familjes, i kombinuar me ikjen e forcës riprodhuese drejt BE-së, e ka vendosur vendin përpara një sfide ekzistenciale, që nuk po merret aspak seriozisht nga qeveria, përkundrazi kjo e fundit po përhap narrativen që emigracioni ka ndalur dhe tashmë dominojnë kthimet, kur po ndodh tërësisht e kundërta.

Të dhënat e INSTAT për emigracionin neto, që mat diferencën mes atyre që kthehen dhe atyre që ikin ështe negativ, me personat që ikin të cilët përbëjnë më shumë se dyfishin e atyre që kthehen. Në vitin 2024 migracioni neto arriti rreth -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar edhe për shkak të korrektimeve nga cens 2023. Në vitin 2025, ndonëse me rënie, treguesi mbeti shumë i lartë, rreth -28,836 persona.

Rruga Press

YouTube player