Opinion/Aktualitet

Udhëve të Evropës dhe të Ballkanit – një epistolar qe i flet gjitashtu ardhmërisë sonë

Nga Luan Rama

Epistolarët sot janë bërë libra të rrallë edhe pse në Francë jemi në vedin e traditës së epistolarëve çka na kujton shkrimtarë të shquar por dhe filozofë që shkruanin epistolarë me kolegë të tyre, herë epistolarë letrarë apo mbi shoqërinë e tyre kontemporane, siç ishin epistolarët e Floberit, Dymas, Zhorzh Sand e shumë të tjerë, si dhe epistolarëve të intelektualëve të shekullit XX, botime këto në dy zëra me shqetësimet e epokës që ata kanë jetuar. Epistolari “Udhëve të Europës – dy rrugëtime, 1990-2010”, midis Sebastien Gricourt dhe Samuel Richard, alias Nathanaël Pieyre është një dëshmi mjaft interesante, në kufirin e dy dekadave të fundit, kohë kur ata përshkoniin sëbashku vende të Ballkanit dhe të Lindjes Europiane, kur ndërkohë Muri i Berlinit kishte rënë dhe pritej që pas Rumanisë të binte dhe “dominoja e fundit”, Shqipëria totalitare, kohë kur një kompozim i ri gjeopolitik do të sillte luftrat në Ballkan, shpërbërjen e Jugosllavisë së parathënë nga historiani Paul Garde dhe konfliktet  që do të ivinn siç ishte Lufta e Kosovës, Pavarësia e saj dhe konflikti në Maqedoninë e Veriut që për fat do të ndërpritej me Marrëveshjen e Ohrit. Këta dy të rinj të ngjan se u rritën dhe u formuan pikërisht në këtë atmosferë ngjarjesh. Ata herë udhëtojnë bashkë dhe herë veç e veç. Kur ata studionin gjuhën shqipe në INALCO, Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris ishte profesori i tyre, Bernard Lory, një nga specialistët më të shquar të historisë së Ballkanit që i nxiti të udhëtonin drejt Shqipërisë që koha totalitare e kishte lënë si një vend për tu zbuluar nga perëndimorët. Një udhëtim romanesk që nisi në vitin 1990 dhe që do të ngjizej njëherë e përgjithmonë në kujtesën e tyre. Me një makinë “Renault 18” nisur nga Parisi, ata ndalojnë më së fundi në kufirin shqiptar, ku dhjetra të rinj presin si kandidatë të një udhëtimi në Far West, ashtu pa bagazhe, mes telave me gjemba dhe bunkerëve ku  dy udhëtarët francezë do të pikasnin në udhët e shkreta shqiptare, pa tabela sinjalistike dhe shpesh pa dritë. E ashtu, në mbrëmje vonë, ata janë të detyruar të flenë në makinë, të cilën arrijnë ta parkojnë përballë ambasadës franceze, në Rrugën e Ambasadave, ku në zgjim, në një robinet uji në rrugë bëjnë tualetin e tyre “folklorik”. Këta dy të rinj kërkonin të njihnin jo bukuritë e botës por një Ballkan që ziente dhe që kërkonte një të ardhme më të mirë.

Pra, 20 vjet më vonë, në një epistolar origjinal dhe mjaft interesant, ku shpesh njohim dhe jetën e tyre personale, shpalosen ngjarje të mëdha që lidhen jo vetëm me Shqipërinë por dhe Rumaninë e Causheskut, Jugosllavinë e Milosheviçit; lufta në Vukovar dhe në Sarajevo e pastaj në Kosovë. Janë letra që i shkruajnë njëri-tjetrit nga vende të ndryshme të Europës dhe botës, nga Lisbona, Bukureshti, Kandahari, Dubai, Maputo etj, por gjithnjë në një kuvendim për ngjarje që i shqetësojnë të dy, kujtime për të njëjtat vende në Ballkan, e veçanërisht në Shqipëri e Kosovë. Letra e parë, 15 korrik 2010: “I dashur Nathanaël, vëllai im…” shkruan Sebastien dhe në 1 gusht 2010, Nathanaël i përgjigjet nga Higerlands: “ I dashur Seb…” Ngjarje që përjetojnë udhëve nga Parisi drejt Stambollit, Sofias, Bukureshtit, Tiranës, Athinës, Prishtinës… Letra ku kërkojnë të rikrijojnë kuadrin e një kohe me protagonistët e saj, njerëzit e thjeshtë, popujt. Nga Prishtina, kujtojnë kollonat e ushtarëve të armatosur dhe policinë me kontrollet e tyre të vazhdueshme tek njerëzit se mos kanë fshehur armë. Dhe etja e tyre është e madhe për të njohur botën e qytetarëve të këtyre vendeve të panjohura më parë dhe se si e mendojnë ata të ardhmen. Gjendja është eksplozive. Nga kujtimet e Tiranës, ata shkruajnë për Kadarenë, kujtojnë Voskopojën. Për Nath, si dhe për Seb, Voskopoja është një vend mitik, pasi e kaluara dhe kultura e trashëguar është e jashtëzakonshme. Për Nath gjithashtu, “një vend ideal për tu realizuar një film nga  Kujtim Cashku”… shkruan ai duke shtuar pastaj rreth angazhimit të tij bashkë me “Patrimoine  sans Frontières” lidhur me ndihmën për restaurimin e afreskeve të dëmtuara, një angazhim ky disa vjeçar me një kontribut të madh për trashëgiminë kulturore, historike dhe artistike shqiptare. Në letrat e tij, Nath bëhet një lloj filozofi, poeti, ka një ndjesi tepër të veçantë të shkruari, siç ndodhte jo rrallë tek ambasadorët e dikurshëm francezë. Fjalë padyshim që të bëjnë të mendosh, kur lexon për ëndrrën e tij në një nga kishat e Voskopojës me mitin e Ikarit, duke e konsideruar gjithashtu Voskopojën si “notre Mecque”, (“Meka jonë”) çka ishte e tillë dhe për Seb. Dhe kanë të drejtë pasi vlerat e trashëgimisë dhe artit janë të jashtëzakonshme. E ndërkohë, është Seb që në letrën e tij i shkruan për aventurën e tij në Kosovë, atë udhëtim plot mbresa, ku historia e Kosovës bëhet njëkohësisht e tija dhe njerëzit e Kosovës, miq të shpirtit të tij.

Lexo më shumë  Kartel apo qeveri? Shqipëria në vendin e parë për kostot e rrugëve dhe pagesat që qytetarët janë të detyruar t’u paguajnë koncensionarëve

Letrat shtegëtojnë, shkruar në vende të ndryshme ku jeta dhe puna i ka dërguar, letra me kujtime që kërkojnë të largojnë mjegullat që kishin rënë disi në kujtesën e tyre. I gëzohen kujtimeve të cilat tashmë përmes shkrimit dëshmojnë dashuri, përkushtim, ngjarje e personazhe dhe se si Shqipëria dhe Kosova, bëhen gradualisht vende të tyre, përçka vuajnë, gëzohen, entusiazmohen apo dëshpërohen kur shoqëria dhe veçanërisht politika nuk i përgjigjen kërkesave të kohës, modernitetit, principeve të demokracisë dhe Shtetit Ligjor, të Drejtës, mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Cdo njëri prej tyre shton diçka në afreskun e kohës dhe në imazhin e Ballkanit. Kujtojnë udhëtimin e tyre në vitin 1992 nga Bukureshti drejt Sofias e pastaj nga Selaniku drejt Shqipërisë, Tiranës. Kujtojnë gjendjen e rëndë të luftës në Sarajevë. Dy vite më vonë, bashkë me të atin Sebastien shkon në Tiranë. E gjejmë në kalanë e Rozafës në një Shqipëri kaotike por prekëse me dashurinë që afron. Më 1996 përsëri drejt Valbonës, Vithkuqit, Voskopojës, Dardhës e Prespës. Më 1997 është Nathanaël që shkon në Pragë dhe shkruan për atmosferën atje dhe kulturën politike pa harruar Shqipërinë. Ka një emocion të veçantë kur shtrëngon dorën e politikanit që pëlqente aq shumë, presidentit Vaclav Havel.  Atë vit Seb niset drejt Kosovës si interpret i shqipes në një mision të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar C.I.C.R. Dhe pamja atje është e dhimbshme për të : karvane kamionësh ushtarakë, autoblinda, policia me kontrollet e vazhdueshme të popullsisë se mos kanë armë. Kosova zien përbrënda. Duhet fituar liria. Ai shikon burgjet e Kosovës, takon intelektualë, kolektivin e “Comité Kosova” ku shumë prej tyre bëhen miqtë e tij të përhershëm, shkon në burgun e tmerrshëm të Dubravës me shumë të burgosur politikë, shkruan për torturat. Pastaj me makinë shkon drejt rrugëve të Drenicës që është ngritur në këmbë. Me misionin e Kryqit të Kuq, arrijnë që në spitalin e Mitrovicës ku është një anëtar i plagosur i UCK-së, t’ia heqin nga duart policisë serbe, të cilët donin ta merrnin dhe ta vrisnin. Emocione të veçanta ke kur lexon përshkrimet e tij kur hyn në Prekaz pas masakrës së tmerrshme të familjes Jashari. Misioni i C.I.C.R kërkon të humburit, viktimat e tjera të mundshme, shprehje e spastrimit etnik që po fillonte.

Në gusht të vitit 2000 është Nath që mbërrin në Tiranë si atashé kulturor pranë ambasadës franceze. Një ëndërr për të ritakuar miqtë e tij, shqiptarët dhe për të hyrë më thellë historisë shqiptare dhe kohëve të reja që kishin filluar për të. Për fat, me ambasadorin francez Patrick Christmant flasin jo vetëm shqip por dhe rumanisht, rumanishten që Nath e kishte studjuar në Bukuresht. A adhuron ambasadorin e tij dhe tani e imagjinoj atë djalosh simpatik, tepër inteligjent dhe me nje finesë letrare. Ndërkohë Lufta e Kosovës ka mbaruar. Qindra mijra kosovarë kthehen nga ana tjetër e kufirit me Shqipërinë ku kishin gjetur strehë. Seb niset pranë KFOR-it dhe pamjet para syve të tij janë të dhimbshme: shtëpi të djegura, të shkatërruara. Varre të pambarrimta. Misioni është delikat por ndërkohë një konflikt tjetër shpërthen në Maqedoninë e Veriut ku duhet shkuar urgjentisht: 6 muaj në këtë zonë të tensionuar, pas konfliktit dhe ndeshjeve me armë në Shkup, Kumanovë, Tetovë e Gostivar. Lumturisht, konflikti nuk zgjati shumë. Marrëveshja e Ohrit ishte fillimi i një pajtimi dhe bashkekzistence. Nga ana e tij Nath kujton se atë vit ishte në misionin e Ambasadës Franceze në Prishtinë. Njohje me intelektualë dhe ndihma për ndërtimin e një shteti modern në Kosovë. Por Seb do të rikthehet përsëri në Prishtinë. Ka fatin të kujtojë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Tashmë ai është i njohur në rrethet politike dhe intelektuale. Data 17 shkurt 2008. Ankthi është i madh tek të gjithë nëse rusët do të pengonin me çdo kusht shpalljen e Pavarësisë. Ai është në zyrat qeveritare kur Parlamenti i parë mblidhet. Pavarësia e Kosovës shpallet me një solemnitet të jashtëzakonshëm. Ndjehet gëzimi i tij i madh dhe entusiazmi që vazhdon gjer natën vonë, në festën e madhe të një populli që ai e do dhe i është përkushtuar. Pak më vonë, në Paris, një oficer francez, mik i serbëve, boton një libër ku shpreh simpatinë e hapur për politikën e Serbinë, e cila e kishte dekoruar. Atëherë Sebastian shkruan dhe boton një libër për të kundërshtuar tezat e tij me titullin “Kosova: tregime të ndërtimit të një shteti”! Ishte i njëjti oficer që bëri të mundur ndarjen e Mitrovicës më dysh.

Lexo më shumë  Kartel apo qeveri? Shqipëria në vendin e parë për kostot e rrugëve dhe pagesat që qytetarët janë të detyruar t’u paguajnë koncensionarëve

Epistolari i dy miqve të Shqipërisë dhe Kosovës përmes dëshmive të tyre sa gjeopolitike aq dhe njerëzore na solli përmes këtij libri jo vetëm atë çka ndodhi në Shqipëri e Kosovë gjatë dy dekadave 1990-2010, por dhe atmosferën e zhvillimeve politike e sociale në Ballkan. Përmes dëshmive, në çdo çast ata shprehin dashurinë dhe miqësinë e tyre të madhe. Po, për ata ka rëndësi vizioni i liderëve politikë drejt së ardhmes, sot dhe nesër, në momentet e vështira, kur lëvizjet populiste në Perëndim të Evropës bëhen pengesë në integrimin e dy vendeve tona  drejt BE-së. Në fund të librit, njëri nga Lëpusha në kufirin me verior të Shqipërisë, në një kohë dëbore dhe poetike nga bora e madhe, dhe tjetri nga Voskopoja, vazhdojnë drejt mbylljes së këtij epistolari duke hedhur dritë mbi horizontet e reja që janë hapur para Shqipërisë si dhe shtetit të ri të Kosovës. Ata nuk mungojnë dhe mbi problematikat e shoqërive, reflekset e një të kaluare jo të largët që pengojnë reformat dhe reformimin e shtetit, mbi jetën sociale që jo rrallë e pengojnë ose e frenojnë ecjen më përpara të Shqipërisë apo Kosovës drejt një të ardhme të sigurtë pro evropiane dhe demokratike.  Siç shkruan dhe në parathënien e këtij libri profesori i tyre Bernard Lory,  “Ky libër është një vështrim i shpejtë që hedh dritë në këtë Ballkan për të cilin ka ende boshllëqe në njohjen e tij në një aspekt më të përgjithshëm. Ballkani është ne Europë. Nuk ka Europë pa Ballkanin”! Të njëjtën ide shprehin në epistolarin e tyre dhe këta dy “ashikë” të Shqipërisë, që në antologjitë franceze do të quheshin “les amoureux de l’Albanie et du Kosova”. (Të dashuruarit me Shqipërinë dhe Kosovën”! Ish nxënësit e profesorit të tyre, sot diplomatë dhe misionarë me një karrierë të shkëlqyer pohojnë me forcë ardhmërinë tonë dhe po ashtu të Ballkanit si pjesë e pandarë e Evropës./ ObserverKult

Rruga Press

YouTube player