KryesoreLajme

Raporti SecuriMeter: Kosova e para në rajon për perceptimin e sigurisë dhe orientimin pro-NATO, ndërsa Serbia renditet e fundit

Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për perceptimin e sigurisë së brendshme, sipas gjetjeve të raportit SecuriMeter 2025, i cili analizon qëndrimet e qytetarëve në vendet e rajonit lidhur me sigurinë, stabilitetin dhe orientimin strategjik.

Sipas raportit, Kosova prin në pyetjen “Sa i sigurt është vendi juaj për të jetuar?”, me 58.4 për qind të të anketuarve që shprehen pozitivisht.

Pas Kosovës renditen Mali i Zi me 54.8 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 54.6 për qind. Shqipëria qëndron rreth nivelit 50 për qind, ndërsa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shënojnë vlerësime dukshëm më të ulëta, përkatësisht rreth 41 dhe 32.5 për qind.

Lexo më shumë  Kredia për Ukrainën do të ndodhë 'në një mënyrë ose në një tjetër', thotë Von der Leyen mes vetos së Orbanit

Raporti thekson se Kosova dhe Shqipëria janë ndër vendet më optimiste sa i përket sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina karakterizohen nga nivele më të larta pesimizmi dhe pasigurie, të ndërlidhura me zhvillimet e brendshme politike dhe institucionale.

Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me orientimin strategjik dhe besimin në NATO.

Kosova dhe Shqipëria kanë nivelin më të lartë të besimit në Aleancën Veriatlantike dhe shfaqin orientimin më të qartë pro-Perëndimor. Në kontrast, Serbia shfaq prirje më të theksuar drejt neutralitetit strategjik.

Lexo më shumë  Gërvalla: Reformimi i sistemit të drejtësisë është i panegociueshëm

Në krahasim me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, raporti vëren se Kosova perceptohet nga qytetarët e saj si më stabile dhe më e sigurt.

Serbia, sipas të dhënave, përballet me rënie të besimit në institucione dhe rritje të frikës për konflikte të brendshme, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina mbetet vendi me perceptimin më të ulët të sigurisë në rajon.

Në përfundim, SecuriMeter 2025 konstaton se Kosova jo vetëm që kryeson rajonin për perceptimin e sigurisë së brendshme, por edhe pozicionohet si një nga vendet më optimiste për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, me orientim të fortë drejt NATO-s dhe partnerëve perëndimorë.

YouTube player