KryesoreLajme

Policia e Kosovës: Asnjë rast i vrasjes në vitin 2025 në veri

Në katër komunat në veri të Kosovës asnjë rast i vrasjes dhe grabitjes nuk është regjistruar gjatë vitit 2025.

Kështu thuhet në raportin e punës për vitin 2025 të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës.

Sipas raportit, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë Polici–qytetar, gjatë vitit të kaluar janë arritur rezultate të rëndësishme në parandalimin dhe luftimin e veprave penale.

“Raportin në detaje e prezantoi Shefi i Njësisë se Planifikimit dhe Vlerësimit Operacional Toger Erduan Baliqi, i cili theksoi se gjatë vitit 2025 në rajonin e veriut nuk është shënuar asnjë rast vrasje, po ashtu nuk janë shënuar raste grabitjesh” – thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e numrit të përgjithshëm të veprave penale për 11.8 për qind në krahasim me vitin 2024.

Lexo më shumë  Kryeministri holandez adopton qen nga Kosova, e quan Muja

“Rënie e ndjeshme është shënuar edhe në disa kategori kryesore të veprave penale, përfshirë: vjedhjet e rënda -26.92 për qind, sulm -31.91 për qind, kanosje -32.00 për qind, nxitje e përçarjes dhe mosdurimit -71.43 për qind, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm -61.90 për qind, asgjësim apo dëmtim i pasurisë -39.46 dhe zjarrvënie -84.21”- thuhet në komunikatë.

Rezultate të theksuara, sipas Policisë, janë arritur në konfiskimin e armëve dhe municionit. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 87 armë zjarri, 4,200 fishekë, 21 granata dore dhe 11 raketahedhës.

Zyrtarët e Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri kanë bërë të ditur se zbulueshmëria e veprave penale gjatë vitit 2025 ka qenë 85.90 për qind.

Lexo më shumë  ‘Mandatet’ mblidhen për Ballukun/ Këlliçi citon McAllister: Test kritik për integrimin e Shqipërisë!

Ndërsa sa u përket aksidenteve me fatalitet dhe aksidenteve në përgjithësi është shënuar ulje e rasteve (-11.8%), si rezultat i masave të ndërmarra preventive.

Përveç rezultateve konkrete në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, Policia thot se në veri ka ndërmarrë edhe një sërë aktivitetesh parandaluese, duke realizuar projekte dhe fushata me qëllim rritjen e raportimit dhe bashkëpunimit me Policinë, me synimin që Policia të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Në përmbyllje të prezantimit, për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar, disa zyrtarëve policorë iu ndanë mirënjohje. Gjithashtu, mirënjohje iu ndanë edhe përfaqësuesve të institucioneve bashkëpunuese për bashkëpunimin korrekt dhe mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e detyrave të përbashkëta”- theksohet në komunikatë.

YouTube player