Bilanci i jetëve njerëzore dhe shkatërrimi pas katër vite luftë në Ukrainë
Lufta në Ukrainë, e nisur me pushtimin rus më 24 shkurt 2022, po hyn në vitin e pestë. Ky është konflikti më i përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pas katër vitesh luftime intensive, bilanci i viktimave është i paqartë. Sipas OKB-së, vetëm në vitin 2025 janë vrarë rreth 15 mijë civilë dhe mbi 40 mijë janë plagosur, ndërsa humbjet ushtarake në të dyja anët llogariten në qindra mijëra. Rreth 6 milionë ukrainas jetojnë si refugjatë jashtë vendit.
Zona të tëra në lindje janë shkatërruar, ndërsa rreth 20% e territorit ukrainas konsiderohet i minuar. Rusia kontrollon afërsisht një të pestën e territorit të Ukrainës, kryesisht në Donbas dhe në pjesë të jugut. Kostoja e rindërtimit vlerësohet në mbi 500 miliardë euro.
Përpjekjet diplomatike për armëpushim kanë vijuar në disa raunde bisedimesh, por pa marrëveshje konkrete, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi territoret e pushtuara. Ndërkohë, Ukraina mbetet e varur nga ndihma perëndimore, ndërsa Rusia ka zbutur efektet e sanksioneve duke orientuar ekonominë drejt tregjeve dhe aleatëve të rinj. Katër vite më pas, lufta vazhdon me kosto të rënda njerëzore, ekonomike dhe gjeopolitike.
Rruga Press

