KryesoreLajme

Kurti: Do të përpiqemi maksimalisht t’i evitojmë zgjedhjet, s’kemi emër të përveçëm për president

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme sa i përket çështjes së presidentit. Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedh presidentin.

Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka asnjë kandidat të përveçëm për president, e këtë nuk e kanë as Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurti të dielën u takua me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza e të hënën me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Në vijim ose të gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të ketë 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë e votojnë më së largu deri 4 mars apo subjektet politike të merren vesh për rrugën përpara. Shfaqet e nevojshme të kemi diku 83-84 deputetë apo 85, pasi vetëm një nëse mungon atëherë shkojmë automatikisht në zgjedhje. Përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë se s’duhet që edhe në vitin 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet. Do të përpiqemi maksimalisht të evitojmë zgjedhjet shkaku i moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Nga Shqipëria pothuajse çdo vit, rreth 35 studentë shkojnë për studime me bursë për në Rusi, kjo duhet parë me kujdes strategjik

Kurti ka thënë se nuk janë mbledhur nënshkrime nga VV-ja për asnjë kandidat dhe tha se nuk ka kuptim të mbledhen nënshkrime kur maksimalisht i kanë 66 vota nëse votojnë të gjithë, edhe deputetët nga radhët e komuniteteve.

E ai tha se PDK-ja e LDK-ja siç i kanë thënë, nuk e kanë minimumin prej 30 nënshkrimeve për të propozuar kandidatë.

“VV-ja me partnerët që ka garuar bashkë e me pakicat që na janë bashkëngjitur i kanë total 66 vota, e nëse ia shton 15 deputetë të LDK-së bëhen 81 vota. Edhe 81 nënkupton më saktë mund të dështojë vetëm një deputet e jo dy. Pra, VV me LDK-në nuk është formulë e sigurtë që ta tejkalojmë këtë çështje e të mos shkojmë sërish në zgjedhje”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Kurti pret Queirós: Fokus te ligji për konfiskimin e pasurisë dhe mjedisi

Kurti ka thënë se është optimist për një zgjidhje duke parë konstruktivitetin e po ashtu ka thënë se nuk po sheh ndonjë zell nga radhët e partive për zgjedhje të reja. 

Sa i përket asaj nëse do të ftohet AAK-ja në takim, Kurti ka thënë se LVV-ja, PDK dhe PDK janë parti ku gjenden shumica e deputetëve. 

Ai ka treguar se mbrëma u takua në Prekaz me Rifat Jasharin. 

“Biseduam për çështje politike e shumë çështje tjera, por natyrisht zgjidhja është te këto tri parti politike”, tha Kurti.

YouTube player