Merz uron Kurtin për rizgjedhjen kryeministër: Kosova ka në Gjermani një partner të fortë në krah
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti për mandatin e ri në krye të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve.
Në letrën drejtuar Kurtit, Merz ka theksuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësor, duke vënë në pah rëndësinë e vendimeve që do të ndërmerren në proceset integruese të Kosovës.
“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Merz, duke shtuar se gjatë këtyre proceseve Kosova e ka një partner të fortë në Gjermani.
Në letrën e plotë, kancelari gjerman thekson se para Qeverisë së Kosovës qëndrojnë detyra sfiduese, përfshirë përparimet në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ju siguroj se Kosova në këto procese ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krah”, ka theksuar ai.
Në fund, Merz i ka uruar Kurtit suksese dhe mbarësi në ushtrimin e mëtejmë të detyrës së tij si kryeministër i Republikës së Kosovës.
Rruga Press

