Kurti kërkon gjykatë për “turizmin e snajperëve” në Sarajevë: Vuçiqi thuhet se është i përfshirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një gjykate speciale ndërkombëtare për të hetuar dhe gjykuar krimet e njohura si “turizmi i snajperëve” në Sarajevë, duke thënë se në këtë fenomen thuhet të ketë pasur rol edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Deklaratat Kurti i bëri në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në 18-vjetorin e Pavarësisë. Ai ka thënë se, sipas informacioneve që qarkullojnë, gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90, persona të ndryshëm paguanin shuma parash për të qëlluar me snajper civilë boshnjakë nga kodrat përreth qytetit.
“Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, ka thënë Kurti, transmeton KP.
Ai shtoi se e ashtuquajtura “shtëpia e verdhë” për trafikim organesh në Shqipëri, sipas tij, nuk ka ekzistuar kurrë dhe e cilësoi atë si pjesë të një narrative hibride kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Kurti theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, si përgjigje ndaj, siç tha ai, një regjimi shtypës dhe represioni sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në të njëjtën konferencë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tha se ky organizim synon të thellojë dialogun shkencor dhe të zgjerojë perspektivën mbi hulumtimet e krimeve të luftës, duke ofruar analiza të thelluara dhe qasje ndërdisiplinare për pasojat afatgjata të luftës.
Rruga Press

