Kurti: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë”, e cila u mbajt në hollin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Para të pranishmëve ai tha se ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhën e historisë, por mesazhin e ka aktual dhe për të ardhmen. Ajo na kujton se paraja është simbol i besimit, i rendit institucional dhe i vetë shtetit, përveçse mjet shkëmbimi.
Më tej kryeministri shtoi se si institucionet janë forcuar përmes sfidave dhe përpjekjeve, dhe se si shteti është strukturë ligjore, por njëkohësisht edhe marrëdhënie zotimi mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre.
“Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Ai pikënisjen e ka te historia jonë dhe vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave tona”, tha Kurti, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Duke përmendur bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, cili në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, kryeministri tha se 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite, të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përbëjnë nivelin më të lartë të bashkërendimit institucional të cilin e kanë njohur ndonjëherë dy shtetet tona.
“E teksa bëhemi gati për shënimin dhe festimin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kjo ngjarje sot na vjen edhe si rikujtim e përgjegjësi. Rikujtim i përpjekjeve ndër breza, sakrificave të mëdha, dhimbjeve të thella për liri, pavarësi dhe shtet, por edhe përgjegjësi për zhvillim dhe përparim të Republikës sonë, për bashkëpunim dhe partneritet me Republikën e Shqipërisë, për qytetarët dhe për kombin mbarë”, tha kryeministri, duke i uruar për ekspozitën në Prishtinë dhe Tiranë.
Pas vizitës së ekspozitës, kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, zhvilloi një takim të përbashkët me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Rruga Press

