Prodhuesit ukrainas të armëve marrin licencat e para të eksportit në kohë lufte
Prodhuesit ukrainas të armëve kanë marrë licencat e para në kohë lufte për të eksportuar produktet e tyre jashtë vendit, ka bërë të ditur të enjten sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Kievit, Rustem Umerov.
Kievi së fundmi mori vendimin politikisht të ndjeshëm për të eksportuar armë ndërkohë që po lufton kundër Rusisë, pasi synon të ketë fonde për të zgjeruar industrinë e tij vendase të mbrojtjes, e po ashtu, përpiqet të përdorë armët e tij inovative si mjet diplomatik për të forcuar aleancat.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Umerov nuk ka specifikuar se sa ndërmarrje kanë marrë licencë, por ka thënë se kapaciteti vjetor i prodhimit të Ukrainës në këtë sektor tejkalon 55 miliardë dollarë.
Umerov ka thënë se komisioni qeveritar ndërinstitucional që miraton eksportet e armëve ka zhvilluar tashmë mbledhjen e tij të parë pas tetë muajsh.
Që nga sulmi i Rusisë në shkurt 2022, sektori i mbrojtjes në Ukrainë ka përjetuar një rritje të madhe dhe tani përfshin më shumë se 1,000 kompani, shumica prej tyre ndërmarrje të reja në sektorin privat.

