Uncategorized

Banorët e Durrësit dhe Rrjollit kundër projektit TID dhe resortit: Balluku kriminele, PS ngren kartonat në Parlament pa të drejtë

Edhe pse në skaje të ndryshme gjeografike, banorët e Rrjollit (Shkodër), Durrësit dhe Tiranës, u bënë bashkë sot përpara Parlamentit, me një thirrje të përbashkët: “po na vjedhin pronën”.

Në Durrës dhe Rrjoll, banorët kanë kërkuar sigurimin e padisë, pra ndërprerjen e punimeve, për projektet “TID Durrës” dhe “Blue Borgo”, qe janë planifikuar për zhvillim ne këto zona.

Të enjten në orën 15.00 pritet të mbahet seanca në Gjykatën Administrative, ku banorët e zonës së Kalasë në Durrës, kanë kërkuar për herë të katërt ndërprerjen e projektit TID Durrës, ndërsa seanca për resortin në Rrjoll pritet të mbahet në të njëjtën gjykatë, të premten në orën 10.00.

“Rrjolli dhe Durrësi, Drejtësi”

“Rrjoll, Durrës, Zvërnec, Nartë, Sazan, Pogardec, Zall – Gjocaj, Shushicë, Kombinat” – ishin disa nga zonat që qytetarët kishin listuar në pankarta, ku projekte të ndryshme publike dhe private po ju marrin pronat dhe burimet natyrore në emër të investitorëve strategjik apo “interesit publik”, që në fund i shërben privatëve.

Edmond Çata, qytetar i angazhuar në Grupmin për Kombinatin, një organizim qytetarësh të prekur nga shpronësimet pas tërmetit, u shpreh se kjo qeverisje ka kohë që tregohet arrogante me të drejtën e pronës.

“Ky është shembull që po jepni ju sot, se kur cenohen të drejtat, nuk rrihet në kafene, por dilet dhe i thuhet qeverisë Stop” – tha Çata gjatë fjalës së tij.

Ai rikujtoi se nga çështjet gjyqësore të ndërmarra nga banorët e Kombinatit, kundër Bashkisë Tiranë, me përfaqësim ligjor nga qendra Res Publica janë fituar 18 nga 22 raste duke provuar akte ekspertimi të rreme për nivelin e dëmtimit të pallateve.

Teksa banorët e Kombinatit arritën t’i ndalin shembjet në gjykatë, në Durrës banorët janë paralajmëruar ditët e fundit se do të kenë dhjetë ditë kohë për të liruar banesat e tyre, nga data 16 deri më 26 shkurt.

“Ne shtëpitë i kemi në qendër të Durrësit, kur atje një metër katror, te vija e parë, është tre mijë euro metri katror. E dini sa ma kanë llogaritur mua shtëpinë në qendër? Me 170 mijë lekë të vjetra metri katror” – u shpreh Rita Kazazi, banore e lagjes së Kalasë në Durrës.

Protestat e banorëve të Durrësit kundër projektit TID Durrës kanë nisur që në shtator 2025. Ata kundërshtojnë projektin që në fazën e parë prek rreth 70 familje dhe në një fazë të mëvonshme, mendohet të prekë rreth 100 familje të tjera.

Citizen ka raportuar në vazhdimësi protestat e këtij komuniteti përpara Bashkisë Durrës dhe zyrave të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që po zhvillon projektin.

Njëjtë dhe banorët e Rrjollit kërkojnë ndërprerjen e punimeve që kanë nisur tanimë për projektin “Blue Borgo”, i cili do të ndërtohet nga kompania “Gener2”. Prej ditësh ata janë përfshirë në përleshje të dhunshme me policinë, teksa kanë tentuar të ndërpresin gërmimet dhe punimet e makinerive dhe janë shoqëruar me forcë në polici.

Partitë e reja në mbështetje të komuniteteve

Protestën e mbështetën dhe përfaqësuesit e forcave të reja politike. Dorina Prethi nga “Shqipëria Bëhet” kujtoi faktin se kjo parti po proteston prej 68 ditësh përpara kryeministrisë, 24 në 24 orë.

“Kjo është e gjitha ajo që ne po përpiqemi të tregojmë përpara kryeministrisë, se nuk jemi për problemin tonë aty. Ne jemi aty për Shqipërinë!” – tha Prethi gjatë fjalës së saj.

Kryetari i partisë “Mundësia” u shpreh se pavarësisht zhgënjimit që kanë shqiptarët ndër vite nga çështja e pronave, nuk duhet të heqin dorë.

“Kush po ndërton sot jugun? Kush po i ndërton resortet? Ku janë pronarët e atyre tokave? Janë të gjithë jashtë shtetit” – theksoi Agron Shehaj.

Redi Muçi, nga partia “Lëvizja Bashkë” përmbylli se Shqipëria gjithmonë e më shumë po ngjason me vendet e Arabisë apo Katarit, ku ndërtohet vetëm për oligarkët dhe qytetarët më shumë përdoren si skllevër të sistemit./citizen.al

Rruga Press

YouTube player