KryesoreLajme

Një rus dhe dy bjellorusë kapen duke hyrë ilegal në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në fshatin Arllat të Drenasit, përgjatë rrugës nacionale Pejë–Prishtinë, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 13:30, kur njësitë policore kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa të Shqipërisë.

Automjeti drejtohej nga një shtetas shqiptar, ndërsa gjatë kontrollit policor është konstatuar se në të ndodheshin edhe tre persona të tjerë.

Lexo më shumë  Kosova përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së sipas rregullave të reja të azilit

Dy nga pasagjerët janë shtetas të Bjellorusisë, ndërsa një tjetër është shtetas i Rusisë.

Pas verifikimeve fillestare dhe intervistimit të personave të përfshirë, hetuesit kanë arritur në dyshimin se ata kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes kalimit të paligjshëm të kufirit nga Shqipëria.

Policia ka bërë të ditur se arrestimi është kryer në vendin e ngjarjes, ndërsa ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Me vendim të prokurorit kompetent, të katër personat janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar si “kalim i paautorizuar i kufirit”.

Lexo më shumë  Policia e Kosovës gjen armatim e pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me motivet e lëvizjes së tyre apo nëse ekziston dyshimi për ndonjë vepër tjetër penale të ndërlidhur me rastin.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke vazhduar.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e migrimit të paligjshëm dhe në ruajtjen e integritetit të kufijve shtetërorë, duke apeluar për respektimin e procedurave ligjore të hyrje-daljes në territorin e vendit.

YouTube player