Opinion/Aktualitet

Nga spiunët te rekrutët: si Rusia dhe Serbia po rikonfigurojnë ndikimin e tyre në Ballkan

Nga Gurakuç Kuçi

Rusia ka hyrë në një fazë të re të operacioneve të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk vepron më kryesisht përmes agjentëve rusë të ekspozuar, por përmes rekrutëve lokalë, kryesisht serbë, të cilët punojnë për interesat strategjike të Moskës. Këtë e ka konfirmuar publikisht Hristo Grozev nga Bellingcat në një intervistë të fundit për ETV.

Ky ndryshim operacional përfaqëson një konsolidim të thellë të ndikimit rus në rajon, si dhe një zëvendësim funksional të pamundësisë së agjentëve rusë për të lëvizur lirshëm në Evropë pas ekspozimit të rrjeteve të GRU-së. Në terma praktikë, Moska ka kaluar nga operacionet e drejtpërdrejta te delegimi subversiv, duke përdorur qytetarë lokalë si instrumente ndikimi, destabilizimi dhe sabotimi.

Sipas Grozev, studentët në universitetet serbe janë kthyer në objektiv parësor të rekrutimit, dhe për këtë linjë është përgjegjës Edvard Shishmakov. Ky fakt është veçanërisht shqetësues, pasi Shishmakov nuk është një figurë periferike, por një nga organizatorët kyç të tentativës për atentat ndaj ish-presidentit malazez Millo Gjukanoviq gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi në vitin 2016. Atentati u parandalua vetëm falë informacionit të siguruar nga inteligjenca e Kosovës, çka e bën edhe më të qartë përmasën rajonale të operacionit.

Lexo më shumë  Kur drejtësia kthehet në rrezik se nuk vjedh dot i qetë n

Se këto nuk janë “akte individuale”, por operacione shtetërore, e dëshmon qartë zinxhiri i komandës që shkon deri te Andrei Averjanov. Komunikimet e rregullta, udhëtimet zyrtare dhe prania e tij e dokumentuar pranë Vladimir Putin e mbyllin përfundimisht çdo debat mbi narrativën e “operativëve të vetmuar”.

Në intervistë, Grozev përmend gjithashtu kontakte të drejtpërdrejta në qeveritë e rajonit, veçanërisht në Serbi dhe Mal të Zi, në parlamente, në organizata fetare dhe në rrjete proreligjioze, përfshirë edhe Kishën Ortodokse. Këto struktura shfaqen si kanale funksionale të ndikimit rus, të ndërtuara gradualisht dhe me qëllim afatgjatë.

Në rastin e Malit të Zi, Grozev thekson se rreziku kryesor nuk është dalja formale nga NATO, por qasja në informacion të klasifikuar përmes aktorëve politikë që kanë pasur ose vazhdojnë të kenë lidhje me strukturat ruse. Ky është skenari ideal për Moskën: një shtet anëtar i NATO-s që mbetet brenda aleancës, por shërben si burim informacioni dhe dobësie nga brenda.

Këtë logjikë e kam dëshmuar dhe analizuar më herët në punimin tim “Geopolitical Risks and Reconfigurations: Serbia and the Challenge to Montenegro’s Stability”, ku kam argumentuar se pas vitit 2020 Serbia dhe Rusia kanë kaluar në një fazë të luftës hibride të institucionalizuar, duke përdorur zgjedhjet, partitë politike, kishën, median dhe ndërhyrjet demografike si mjete presioni strategjik. Kam dëshmuar se ndryshimet politike në Mal të Zi nuk ishin produkt i një rotacioni normal demokratik, por rezultat i një ndërhyrjeje të koordinuar hibride, ku Beogradi vepron si nyje rajonale dhe Moska si dirigjent strategjik.

Lexo më shumë  Kur drejtësia kthehet në rrezik se nuk vjedh dot i qetë n

Intervista e Grozev tregon se lufta hibride nuk ka përfunduar, por është sofistikuar, dhe se universitetet, rinia dhe elitat e reja janë kthyer në fushëbetejën e radhës.

Nuk duhet të harrojmë se Serbia dhe Rusia kanë qenë të përfshira në zgjedhjet në Moldavi, në dy raste në Francë dhe në dy raste në përgjimet e Brukselit, të publikuara nga Politico dhe nga inteligjenca e Kosovës.

Po ashtu, marrëveshja e dhjetorit 2021 mes inteligjencave ruso-serbe për ndalimin e të ashtuquajturave “revolucione me ngjyra” në Serbi përbën një dëshmi shtesë të koordinimit të tyre publik për realizimin e planeve strategjike në terren.

Në gjuhë të thjeshtë: Ballkani po destabilizohet nga një strategji aktive, e vazhdueshme dhe e adaptuar e Rusisë dhe Serbisë. Dhe kush nuk e sheh këtë tani, rrezikon ta kuptojë vetëm atëherë kur kostoja politike dhe e sigurisë të jetë shumë më e lartë.

Rruga Press

YouTube player