Bota

Kreu i inteligjencës evropiane: Putini nuk ka plan të ndalë pushtimin në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk ka asnjë dëshirë të ndalë pushtimin e Ukrainës, që po hyn në vitin e katërt, dhe beson se mund ta “tejkalojë me zgjuarsi” ShBA-në gjatë bisedimeve me Uashingtonin për përfundimin e luftës, tha sot kreu i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, sipas AP.

Sipas Rosini, Moska po përpiqet të fitojë kohë në bisedimet me SHBA-në dhe nuk ka absolutisht asnjë diskutim real për bashkëpunim domethënës me Uashingtonin.

Deklarata e tij erdhi gjatë një konference online me gazetarët, në prag të publikimit të raportit vjetor të sigurisë së Estonisë.

“Vlerësimet bazohen në informacione të siguruara nga diskutime të brendshme ruse”, tha Rosin pa dhënë detaje mbi mënyrën e sigurimit të tyre.

Sipas tij, këto diskutime tregojnë se zyrtarët rusë vazhdojnë ta konsiderojnë Uashingtonin si “armikun kryesor” të Moskës.

Raporti estonez thekson se Rusia nuk ka gjasa të sulmojë NATO-n gjatë këtij viti apo vitin e ardhshëm, por paralajmëron se ajo mbetet e rrezikshme, ndërsa përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.

Lexo më shumë  Shumica e gjermanëve janë pro rritjes së ndihmës për Ukrainën

Zyrtarët rusë kanë deklaruar publikisht se janë të interesuar për një marrëveshje të negociuar, por sipas raportit tregojnë pak gatishmëri për kompromis, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës javët e fundit janë përshkruar nga të dyja palët si konstruktive dhe pozitive, megjithatë nuk ka asnjë shenjë përparimi konkret në çështjet kyçe.

“Putini, në mendjen e tij, ende beson se në një moment mund ta fitojë ushtarakisht luftën në Ukrainë”, tha Rosin.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë reagoi ndaj komenteve të shefit të inteligjencës estoneze, duke deklaruar se negociatorët e presidentit amerikan kishin bërë “progres të madh” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

Ai veçoi një marrëveshje të arritur së fundmi në Abu Dabi mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë për lirimin e mbi 300 të burgosurve, si dëshmi se procesi po ecën përpara.

Lexo më shumë  Skandali Epstein, reagon për herë të parë familja mbretërore britanike

Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.

Në një sinjal se presidenti amerikan Donald Trump synon të përshpejtojë përpjekjet për paqe, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi javën e kaluar se Uashingtoni i ka vendosur Ukrainës dhe Rusisë një afat deri në qershor për të arritur një marrëveshje.

Gjatë vitit të fundit, Trump ka vendosur disa afate të ngjashme, të cilat kanë kaluar pa pasoja të dukshme.

Ndërkohë, Fiona Hill, eksperte për Rusinë dhe ish-këshilltare e Trump gjatë mandatit të tij të parë, tha se presidenti amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij po ndërtojnë një narrativë që e paraqet Trumpin si paqebërës dhe, për këtë arsye, nuk janë të interesuar të ndryshojnë vlerësimin e tyre se Putini dëshiron t’i japë fund luftës.

“Të dy liderët kanë nevojë që versioni i tyre i ngjarjeve të shpaloset”, tha Hill duke shtuar se ata po kapeshin fort pas të vërtetës së tyre: Putini si fitues në Ukrainë dhe Trump si arkitekt i marrëveshjes.

Rruga Press

YouTube player