Lajme

Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për 11 shkurt në orën 12:00.

Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 përqind, apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.

Lexo më shumë  BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

Zgjedhjet e shkuara s’kishin prodhuar koalicion të shumicës. Institucionet nuk u formuan që nga 9 shkurti kur u mbajtën ato dhe Kosova u fut në krizë institucionale. Si pasojë e mungesës së institucioneve, Kuvendi ende s’e ka miratuar buxhetin 2026 e as marrëveshjet ndërkombëtare shumëmilionëshe.

Pos tyre, Kuvendi e ka obligim ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, një muaj para se Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati.

Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës janë përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës së mëparshme, në këtë rast e Dimal Bashës. Ai tani duhet të thërrasë mbledhje të përbashkët me kryetarët e subjekteve që kanë fituar ulëse për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallë.

Lexo më shumë  Komandanti i FSK-së dekoron pjesëtarët e angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në Shqipëri

Punimet e seancës konstituive i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat.

Sipas Rregullores, rendi i ditës duhet të përmbajë: Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve; Betimin e deputetëve; Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Në legjislaturën e shkuar, pati telashe e bllokada në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve – konkretisht atij serb.

Kuvendi ka mandat katërvjeçar, duke nisur nga dita e seancës konstituive.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet.

Rruga Press

YouTube player