KryesoreLajme

Krasniqi për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar Listën Serbe: Politizimi s’po vjen nga KQZ-ja, por nga bashkësia ndërkombëtare

Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është “komplet i depolitizuar” derisa ka mbrojtur vendimin e anëtarëve që kundërshtuan të shtunën shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Listën Serbe.

Siç ka theksuar ai, problemi i Listës Serbe nuk ka pasur trajtim meritor nga organet e drejtësisë marrë parasysh se që nga momenti i certifikimit si subjekt politik e deri te procesi zgjedhor, sipas tij, vepron tërësisht në mënyrë të kundërt me atë që bëjnë subjektet e tjera politike në Kosovë.

“I mirëkuptoj shqetësimet të ndërkombëtarëve në Kosovë, siç i mirëkuptoj kërkesat edhe të komunitetit serb lidhur me presionin që Lista Serbe e bën ndaj këtyre qytetarëve… Nëse ka institucion që është duke e mbrojtur Republikën e Kosovës edhe në raport me Listën Serbe është KQZ. Është komplet i depolitizuar sa i përket kësaj çështje”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Lexo më shumë  Alidemaj dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte kundër njerzimit, bashkëpunoi me serbët në masakrën e Izbicës

Krasniqi ka shtuar se që në gjenezë të themelimit Lista Serbe ka filluar me shkelje dhe vazhdon me shkelje, teksa ka theksuar se organet e drejtësisë kanë dështuar që me argumente të mjaftueshme për shkeljet e LS-së, nuk kanë vepruar.

“Politizimi nuk është duke ardhur nga KQZ, politizimi është duke ndodhur nga akterët e njëjtë që e kontrabanduan Listën Serbe më 2013 duke e bërë pjesë të sferës politike që përfaqëson edhe komunitetin serb”, ka potencuar ai.

Ai ka thënë se në mesin e atyre akterëve që e futën Listën Serbe në sferën politike në vend janë ndërkombëtarët.

“Mund të pyesim edhe këta të BE-së, edhe përfaqësitë diplomatike, diplomatë e ish-diplomatë që me veprimet të tilla i kanë bërë Kosovës, por më shumë dëm komunitetit serb”.

Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se nuk mund ta çojnë përpara Listën Serbe si subjekt pwrmes formave të presionit.

Lexo më shumë  Në prag të stuhisë: përplasje me shumë të panjohura

“Praktikat e kaluara që kanë qenë një formë presioni prej anash edhe i të huajve në KQZ duhet të marrin fund, duhet të ndihmohet edhe KQZ që të jetë sa më profesionale. Nëse na qesin përpara një organizatë kriminale dhe tentojnë ta shpëlajmë përmes formaliteteve teknike, nuk është rruga e duhur. Është koha që institucionet e drejtësisë dhe sigurisë t’i ndërmarrin veprimet që të sigurohemi që partitë politike që garojnë nuk marrin fonde nga jashtë”, ka përfunduar ai.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosshpallje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatëve të saj. PZAP-ja të martën ka thënë se ankesa e Listës Serbe është e bazuar.

YouTube player