Bota

Tisza e Hungarisë ruan epërsinë në sondazhe ndaj Fidezit të Orbanit në pushtet

Partia opozitare hungareze e qendrës së djathtë, Tisza, ka ruajtur epërsinë prej tetë pikësh ndaj partisë nacionaliste qeverisëse Fidesz të kryeministrit Viktor Orban në janar, kanë treguar të hënën (02.02.2026) të dhënat e një sondazhi para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 12 prill, raporton Reuters.

Orban po përballet me sfidën më të madhe ndaj pushtetit të tij që nga fitorja bindëse e Fideszit më 2010, megjithëse rezultati mbetet shumë i pasigurt.

Tisza drejtohet nga ish-pjesëtari i qeverisë, Peter Magyar, i cili ka thënë se partia e tij do ta luftojë korrupsionin, do t’i zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira të Bashkimit Europian për nxitjen e ekonomisë dhe do ta fuqizojë Hungarinë brenda BE-së.

Votimi i prillit do të ketë pasoja të mëdha për Europën dhe forcat e saj politike të ekstremit të djathtë.

Lexo më shumë  Grevat mbarëkombëtare paralizojnë transportin publik në të gjithë Gjermaninë

Orban, aleat i presidentit amerikan, Donald Trump, është përplasur shpesh me BE-në për një mori çështjesh, ndërsa ka ruajtur lidhje miqësore me Rusinë dhe ka kritikuar Ukrainën. BE-ja e akuzon Orbanin për gërryerjen e vlerave demokratike në Hungari, megjithëse ai i hedh poshtë akuzat.

Sondazhi i fundit, i kryer ndërmjet 21–24 janarit nga Instituti Publicus dhe i publikuar nga e përditshmja “Nepszava”, ka treguar se 48% e votuesve të vendosur mbështesnin Tiszan, ndërsa 40% mbështesnin Fideszin, shifra të pandryshuara nga dhjetori.

Përveç dy partive kryesore, vetëm partia e ekstremit të djathtë “Mi Hazank” (Atdheu Ynë) do të kalonte pragun prej 5% të nevojshëm për hyrjen në parlament, sipas sondazhit.

Anketa ka treguar njashtu se 63% e votuesve mendojnë se Hungaria është në drejtimin e gabuar. Kjo shifër rritej në 71% mes pensionistëve, një grup demografik kyç, të cilin Orban e ka synuar me shtesa në pensione.

Lexo më shumë  Armë për Rusinë nga Evropa, Gjermania zbulon rrjetin sekret të eksporteve të paligjshme

Shumica e sondazheve kanë treguar se Fidesz po mbetet pas Tiszas, pavarësisht masave për të kënaqur votuesit pas tre vitesh stagnimi ekonomik në Hungari, e cila ka përjetuar gjithashtu rritjen më të lartë të inflacionit në BE pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Megjithatë, sondazhet pranë qeverisë tregojnë një epërsi të Fideszit.

Një sondazh i dytë, i publikuar të hënën nga Instituti Nezopont, pro-qeveritar, ka treguar se Orban ka normë miratimi prej 46%, krahasuar me 35% për Magyarin.

Nezopont, i cili nuk ka anketuar preferencat partiake në sondazhin e kryer më 26–27 janar, ka njoftuar se mbështetja për Orbanin ishte veçanërisht e lartë mes votuesve të moshuar dhe atyre ruralë. 

YouTube player