Vdiq Pjetër Ivezaj në Michigan – protagonisti i një ngjarje kthese në historinë e komunitetit shqiptar në SHBA
Shkruan Ruben Avxhiu
Ultimatumi i Kongresit Amerikan Jugosllavisë më 1986: Pjetër Ivezaj të lirohet nga burgu ose do të ndëshkoheni me pasoja të rrepta.
Pjetër Ivezaj, një mërgimtar nga Malësia që jetonte në Michigan, vizitoi vendlindjen e tij në 1986 dhe u arrestua nga autoritetet jugosllave. Një gjykatë e dënoi me burg se kishte marrë pjesë në një protestë shqiptare në Washington.
Ngjarja solli mobilizimin e komunitetit shqiptar që nëpërmjet një numri kongresistësh dhe medias ngriti çështjen e Ivezajt dhe detyruan shtetin amerikan që t’i bënte presion Jugosllavisë për lirimin e tij. Për këtë u organizua edhe një dëgjesë në Kongresin Amerikan.
Presioni dha rezultat. Ivezaj u lirua dhe u prit dhe entuziazëm nga bashkatdhetarët kur u kthye në SHBA. Ishte goditja e parë ndaj Jugosllavisë, e cila deri atëhere gëzonte status të veçantë në marrëdhëniet me Amerikën.
Historia e Pjetër Ivezajt, në planin njerëzor dhe aspektin politik të asaj ngjarjeje është përshkruar nga Vehbi Bajrami në librin “Shqiptarët e Amerikës”.

Në fotografi: Dëshmi në Kongresin Amerikan për shkeljen e të drejtave të njeriut në ish Jugosllavi. Nga e djathta: Kongresisti William Broomfield, Ekrem Bardha, dr. Tako Bacaj, Gjon Lulgjuraj, Sejdi Bitiçi. (Në mes të z. Bardha dhe Broomfield, në këmbë është Donika Bardha.
Kur ndërhyn Amerika…
Nga Vehbi Bajrami
DETROIT (Michigan)
Ç’ishte ai zë? Orakujt qenkan ende të besueshëm në këto anë! Ç’ishte ky njeri që i parashihte fatin si në filxhanët e plakave qëmoti!
– Pas dy javësh do të jesh nën pranga!
Kjo pëshpërimë iu ngjit si ferra deles dhe nuk po i shqitej.
Pjetër Ivezaj më 1986 shkoi nga Detroiti në vendlindjen e tij, fshatin Lekaj në Grudë të Malësisë për të qëndruar disa ditë. Në çastin kur zbriti në aeroportin e Podgoricës, kishte dëgjuar një zë ndjellakeq nga një i panjohur, në turmën kaotike të aeroportit: “O njeri që vjen nga larg, pas dy javësh do të të shohim nën pranga të policisë!”
Djaloshin, i cili për 16 vjet nuk e kishte parë atdheun e vet, i shkolluar e i rritur në vend të huaj, e kishin turbulluar fjalët e të panjohurit. Pas dy javësh, kur policia ia kishte behur në shtëpi, e kishte kuptuar se parathënia në aeroport s’ishte sajesë e mendjes së tij. Ai zë kishte parathënë të vërtetën që qe gatuar në kuzhinat e shtetit.
Ai nuk kishte bërë asnjë faj për ta burgosur. Kishte marrë pjesë në demonstrata për Kosovën në Amerikë, por atij nuk i kishte shkuar në mendje se kjo mund ta hidhte prapa hekurave të burgut. Me të arritur në vendlindje, ende pa u çlodhur mirë, shkoi shtëpi më shtëpi e fshat më fshat për të takuar njerëzit që nuk i kishte parë prej një dekadë e gjysmë. Në bisedat me ta, nuk ishte duruar pa shprehur pakënaqësinë ndaj gjendjes së shqiptarëve. “Pse në Tuz e në vende të tjera nuk valon edhe flamuri shqiptar? Pse shqiptarët nuk kanë gazetë të veten? Pse librat e historisë janë të cunguara?” , pyeste i habitur Pjetër Ivezaj, duke shfryrë njëkohësisht edhe mllefin e brendshëm.
UDB-ja po e ndiqte që nga dita e parë e mbërritjes së tij në atdhe. Udbashët e kishin ndjekur atë edhe ditën kur me një grup të rinjsh të fshatit e me disa kosovarë që punonin përkohësisht aty, Natën e Zojës, siç tregon ai, kishte rendur anekënd katundit Lekaj e deri në Vrane, duke kënduar këngë patriotike. Këngët jehonin me rrëmbim kodrave e pyjeve. Pjetër Ivezaj, i etur e i mallëngjyer për vendin e vet, nuk i fshehte ndjenjat. Ai nuk e parashikonte se pas disa ditësh, në shtëpinë e tij do të trokisnin njerëzit me uniformë për ta futur në qeli, edhe pse kishte shtetësinë amerikane. “Pjetër Ivezaj duhet të paraqitet sonte në polici”, i kishin lënë porosinë policët të shkruar në një letër, meqë ai nuk gjendej në shtëpi. Për një muaj, çdo të dytën ditë, ai duhej të paraqitej në polici. Herë e merrnin në pyetje agjentët e UDB-së e herë e urdhëronin të paraqitej në seksionin për rekrutimin e të rinjve në shërbimin ushtarak. Për t’i bërë presion i tregonin fotografitë, në të cilat dukej qartë figura e tij nëpër demonstratat antijugosllave në SHBA.
– UDB-ja, – thotë ai, – më vuri kushtin se nuk do të më burgosnin, nëse do të pranoja të punoja për ta në mërgim.
– Për të gjallë, spiun nuk bëhem, – i thashë udbashit, i cili qëllonte me grushta tavolinën në shenjë nervozizmi. – Ju jeni nipi i Pjetër Zekut, të pushkatuar nga pushteti ynë, prandaj ti ke të njejtat qëllime si ai, – i thoshte agjenti i UDB-së, tek çirrej dhe kërcënonte. Pas 53 ditësh qëndrimi në burg pasoi dënimi me 7 vjet heqje lirie, duke u akuzuar se kishte marrë pjesë në një demonstratë antijugosllave në Washington, se kishte përkrahur kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për t’iu njohur statusi i republikës dhe se ai ishte anëtar i shoqatës “Albanian American Student Association” formuar më 1978 në Michigan.
Lajmi për burgosjen e tij u përhap gjithandej me shpejtësinë e dritës. “Qytetari me shtetësi amerikane, po dënohej nga një regjim totalitar për motive politike”.
Shqiptarët në Amerikë nuk qëndruan indiferentë ndaj burgosjes së bashkëkombasit të tyre. Organizuan demonstrata, u shkruan letra senatorëve e kongresistëve… Aktivisti Ekrem Bardha e bindi mikun e tij, kongresistin William Broomfield që Kongresi t’i dërgonte ultimatum Jugosllavisë për lirimin e Pjetër Ivezajt. Në librin “Shqiptarët – histori etnike nga kohët parahistorike deri sot”, botuar në Amerikë, Edwin E. Jacques ka trajtuar edhe episodin e burgosjes së bashkatdhetarit tonë nga regjimi jugosllav: “Një shembull të mirë se ç’mund të bëjë qoftë edhe një njeri i vetëm kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut na e jep aktivisti Ekrem Bardha. Ai iu drejtua zotit William Broomfield, përfaqësuesit të Michigan-it në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Broomfield pohoi se ai, ashtu si shumë njerëz të tjerë në Perëndim, edhe pse të mësuar me shkeljet e të drejtave të njeriut, nuk mund ta kuptonin arrestimin që iu bë Ivezajt. Ankimi pranë Departamentit të Shtetit nuk iu duk shumë premtues, ndaj e shtroi çështjen në Dhomën e Kongresit, duke e plotësuar edhe me materiale nga Amnesty International”.
Çështja mori karakter ndërshtetëror. Kongresistët amerikanë paralajmëruan masa të rrepta nga ana e shtetit të tyre, si ajo e heqjes së statusit të shtetit të privilegjuar të Jugosllavisë që gëzonte nga Amerika e deri në sanksionet ekonomike. Disa kongresistë i shkruan letër presidentit Reagan dhe sekretarit të shtetit Shultz, duke kërkuar ndërprerjen e gjithë marrëdhënieve ekonomike me Jugosllavinë. Senatori Philip Crane akuzoi Beogradin se ai kishte sjellë në Amerikë spiunë që ndiqnin veprimtarinë e qytetarëve me shtetësi amerikane. Departmenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane në Beograd po ashtu kishin shprehur qëndrimin e tyre kundër burgosjes së Pjetër Ivezajt, duke theksuar se ky rast do të dëmtonte marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Çështja e agjentëve jugosllavë u aktualizua edhe në shtypin amerikan. Aktivisti kroat, Michael Palaich pyeste në gazetën “The Detroit News”: “Nëse z. Ivezaj mori pjesë në një demonstratë antijugosllave, siç e akuzon qeveria e Beogradit, si e mori vesh këtë kjo qeveri? Dikush e mori atë në fotografi? Si e mësuan emrin e tij dhe prej kujt e morën atë?”
“Përgjigja mund të gjendet në raportin e Senatit të vitit 1979 ku sipas gazetës “The New York Times” qeveria jugosllave mban një rrjet të gjerë spiunazhi në Shtetet e Bashkuara”, shtonte Palaich dhe kërkonte nga qeveria amerikane që të ndalonte veprimtarinë e agjentëve jugosllavë në SHBA.
Ambasadori amerikan në Beograd shkoi dhe e vizitoi në burg Pjetër Ivezajn. Më vonë arriti edhe ultimatumi i kongresistëve amerikanë drejtur organeve shtetërore jugosllave: “Ivezaj duhet të lirohet nga burgu ose do të pasojnë masat nga ana e shtetit amerikan”. Më i zëshmi u tregua kongresisti William Broomfield, nga Michigan-i, por edhe senatorë e kongresistë të tjerë si, Carl Levin, Don Riegle etj.
Në një seancë dëgjimi të organizuar në Kongresin Amerikan, kongresisti Broomfield ndër të tjera deklaroi: “Zoti drejtues i seancës, nëse kërkoni drejtësi, qëndroni larg Jugosllavisë. Një burrë i pafajshëm ndodhet atje i burgosur dhe qeveria e atij vendi qëndron duarkryq. Funksionarëve të Konsullatës Amerikane u mohohet takimi me të. Përse qeveria jonë nuk ndërmerr hapa të mëtejshëm për ta liruar nga burgu? Një qytetar nga Michigan-i, që ka marrë nënshtetësinë amerikane, është burgosur në atë vend, i akuzuar se ka marrë pjesë në demonstrata politike në Washington. A theu ai vallë ndonjë ligj të Shteteve të Bashkuara? Absolutisht jo. Ai vetëm se ushtroi të drejtat e tij si qytetar amerikan. Përse po e mbajnë në burg jugosllavët? Thonë se u burgos ngaqë kishte shfaqur mendimet e tij politike gjatë qëndrimit në Jugosllavi dhe ajo qeveri ngul këmbë, se ai është akoma nënshtetas jugosllav. Ku është kujdesi i autoriteteve të atij vendi për të drejtat njerëzore? Qeveria jonë vërtet dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet dhe lidhjet ekonomike me një vend si ky? Ka ardhur koha që t’i japim fund një marrëzie të tillë. Tani është koha të lirohet zoti Ivezaj”.
Shtypi amerikan dhe ai botëror botonte në faqet e para shkrime për rastin Ivezaj. “Jugosllavia fillon gjykimin e shtetasit amerikan”, “Broomfield kërkon lirimin e Pjetër Ivezajt me ultimatum të Amerikës nga burgu i Podgoricës”, “Ivezaj i torturuar nga Jugosllavia”…, ishin disa nga titujt e gazetave.
Përpjekjet e zyrtarëve amerikanë, të shqiptarëve të diasporës, jehona e shtypit të jashtëm i cili shkroi objektivisht për këtë rast të njohur, si dhe reagimi i “Amnesty International” dhanë rezultate. Pas dy ditësh nga zhvillimi i gjyqit, Pjetër Ivezaj u lirua nga burgu.

Pjetër Ivezaj (i dyti nga e djathata) pritet me gëzim nga qindra bashkatdhetarë në aeroportin e New York-ut pas lirimit
Jugosllavia u detyrua ta shfuqizonte vendimin duke arsyetuar se këtë po e bënte “për të mos prishur marrëdhëniet tradicionalisht të mira me SHBA-të”. Kur kongresisti William Broomfield mori vesh se Ivezaj ishte liruar nga burgu, vizitoi të afërmit e tij në Detroit. Vizitën e tij në mes shqiptarëve e ka pasqyruar gazeta “Detroit Free Press”. I impresionuar nga mikpritja shqiptare, pranë tavolinës së shtruar me ushqime e pije dhe lulet e shumta që iu dhuruan, Broomfield i deklaroi gazetarit amerikan: “Gjatë 30 vjetëve në Kongres, asnjëherë s’kam përjetuar një pritje të tillë”. Kur një fëmijë e falënderoi për lirimin e Ivezajt, ai i tha se “unë kam bërë vetëm punën time”.
“Pesë herë i tha “faleminderit” mysafirit të lartë amerikan Leka, babai i Pjetër Ivezajt”, shkruante gazeta amerikane.
Pjetër Ivezaj, dy ditë pasi u lirua nga burgu, u nis për në Amerikë. Në aeroportin e Detroit-it dhe të New York-ut, qindra bashkatdhetarë po e prisnin me padurim bashkëkombasin e tyre. Shumë nga ata ishin veshur me kostume kombëtare dhe mbanin në duar flamuj amerikanë e shqiptarë. Kamerat televizive të kanaleve më të njohura amerikane ishin drejtuar nga ai.
“Jam i lumtur që u largova nga ai shtet komunist, një vend ku nuk mund të flasësh, nuk mund të këndosh, nuk mund të jesh njeri. Jam shumë i lumtur që u ktheva në shtëpi i lirë. Ju faleminderit që më shpëtuat jetën”, deklaroi para gazetarëve amerikanë Ivezaj me të zbritur në tokën e lirë.
Kthimin e lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu, bashkatdhetarët tanë e përjetonin si fitore të përbashkët ndaj shtetit që me dekada të tjera, po ushtronte dhunë e tortura ndaj shqiptarëve. Rasti “Ivezaj” nxori në shesh shkeljen masive të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Ai shënon gjithashtu goditjen më të fuqishme deri në atë kohë në marrëdhëniet e mira që kish Jugosllavia me Amerikën.
Pjetër Ivezaj në shtëpinë e tij në Detroit, në pranverë të 1993-it më tregon dosjen e shkrimeve të shtypit të huaj dhe emisionet që janë transmetuar rreth burgosjes së tij… Gruaja e vet Gjysta, babai Leka, vëllai Frano dhe mysafirët, Prel Kelmendi e Vasel Loçaj, nuk e fshehin krenarinë që janë të afërm të tij.
– Rasti Ivezaj ka rëndësi të madhe historike, – thotë Frano Ivezaj duke ndjekur një emision dokumentar të Televizonit Shqiptar, ku shihej Pjetër Ivezaj duke bërë me dorë nga Shqipëria, nga ana tjetër e kufirit që e ndan Liqeni i Shkodrës.
– Këto toka shqiptare të ndara, duhet të bashkohen, – fliste Pjetri, ndërsa kamera televizive shfaqte para syve tanë botën shqiptare të ndarë padrejtësisht.
Maj, 1993

Bashkatdhetarët në Detroit bashkë me kongresistin William Brromfield (i treguar me shigjetë) festojnë lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav.

Pjetër Ivezaj me bashkëshorten dhe fëmijët.
Rr
Rruga Press
