KryesoreLajme

Elezi: Sot përmbyllet rinumërimi, rezultatet përfundimtare shpallen së shpejti

Procesi i rinumërimit të vendvotimeve po shkon drejt përfundimit dhe pritet të mbyllet gjatë ditës së sotme. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Sipas Elezit, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u zhvilluar dita e fundit e rinumërimit për vendvotimet për të cilat KQZ kishte marrë vendim më herët.

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar dita e fundit e procesit të rinumërimit të vendvotimeve për të cilat është vendosur më herët nga ana e KQZ-së. Në proces të rinumërimit kanë mbetur të përfshihen më pak se 60 vendvotime që iu takojnë tri komunave: Prishtinë, Suharekë dhe Shtërpcë,” ka deklaruar Elezi, për EO.

Lexo më shumë  Zulfaj tregon prioritetet e Qeverisë së Kosovës për rrugën drejt BE-së

Ai ka theksuar se i gjithë procesi pritet të përfundojë brenda ditës, ndërsa sa i përket rezultateve përfundimtare, KQZ do të veprojë sipas procedurave ligjore.

“Procesi i rinumërimit do të përmbyllet gjatë ditës së sotme, ndërkaq lidhur me rezultatet përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ndërkohë do të caktojë mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës do të jetë shpallja e rezultateve përfundimtare dhe për këtë do të njoftojmë me kohë,” ka shtuar ai.

Lexo më shumë  U.D. Presidentja Haxhiu takon ministrin Maqedonci dhe komandantin Bashkim Jashari

KQZ pritet që pas përmbylljes së rinumërimit të njoftojë opinionin publik për hapat e mëtejmë drejt shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

YouTube player