Opinion/Aktualitet

Bandat tona politike thirren në “kushtetutë”, sa herë që u ik nga duart kontrolli mbi krimin

Autor: Lirim Gashi

Deklarata e zonjës Valdete Dakaj se “në të gjitha zgjedhjet e pasluftës ka pasur manipulime të brendshme të votave – por kurrë në këtë përmasë si sot”, nuk është opinion.

Është pranim i vonuar dhe i pavetëdijshëm i një bashkëfajësie të heshtur.

Sepse ai që di për krimin dhe hesht, nuk është dëshmitar – është bashkëpunëtor i paligjshëm dhe imoral.

Në këtë rast, Dakaj na thotë hapur se vjedhja e votës ishte e pranueshme përderisa pushteti mbahej nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA – pra nga bandat politike të pasluftës.

Sipas kësaj logjike të kalbur, për të problem kurrë nuk ishte krimi.

Pët të problem sot është fakti se krimi nuk po u bindet më bandave politike që i preferon.

Pra ky është thelbi i mesazhit të saj tinzar dhe hipokrit.

Nga ana tjetër, për herë të parë që nga paslufta, gjatë qeverisjes VV–Guxo–Alternativa, po ndodh diçka për Kosovën anormale, por për demokracitë e avancuara, krejtësisht normale:

votat po rinumërohen,

manipulimet po zbulohen,

rezultatet po korrigjohen,

dhe legjitimiteti po ndërtohet, pavarësisht që kjo po ndodh pas zgjedhjeve, e jo si dikur që heshtej në zyrat e errëta.

Në çdo shtet normal, kjo do të ishte arsye për gëzim.

Në Kosovën e bandave që funksionojnë si korporata afariste feudale, kjo përjetohet si kërcënim ekzistencial.

Prandaj në studio televizive shfaqen humbës profesionalë, të veshur me “kostum kushtetues” – si “Llamarina Bojleri” – për të na shpjeguar se korrigjimi i padrejtësisë e paska shkelur Kushtetutën.

Se rinumërimi i votës qenka grusht shteti.

Se drejtësia paska shkuar “tepër larg”.

Kjo është logjika e tij mafioze.

Sepse për Llamarinë Bojlerin, krimi është i ligjshëm vetëm kur fiton banda e duhur.

Ai shkon aq larg në mendësinë e tij hipokrite dhe mafioze, saqë e kërkon edhe dorëheqjen e Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani-Sadriu, vetëm pse ajo ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në çdo shtet serioz, ky akt do të konsiderohej si respekt ndaj rendit kushtetues.

Në Kosovë, ndërkaq, Kushtetuta trajtohet si kondom: quhet e shenjtë vetëm kur u shërben bandave politike, dhe shpallet antikushtetuese sapo i dëmton interesat e tyre.

Ironia tragjike është se e njëjta Gjykatë Kushtetuese, e cila përmes vendimeve bllokuese për vite me radhë e ka ndihmuar Listën Serbe dhe projektin destabilizues të Vučićit, sot shpallet papritmas autoriteti suprem i demokracisë – vetëm sepse vendimi i saj përputhet me interesat e humbësve.

Ky nuk është besim në shtet.

Ky është keqpërdorim i shtetit si alibi.

RASTI KRSTIĆ: SKIZOFRENI POLITIKE E TRANSMETUAR LIVE

Branislav Krstić, në emisionin Politiko, arrin një rekord antilogjik:

Ai e quan me të drejtë Listën Serbe organizatë kriminale dhe instrument të Vučićit për terrorizimin, shantazhimin, plaçkitjen dhe vrasjen e serbëve të Veriut.

Pastaj, në të njëjtën frymë, relativizon rastin Banjska, sikur arsenali ushtarak të ishte për gjueti lepujsh gjatë një pikniku, e jo për terror.

Dhe në fund e përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë ankesës së po asaj Liste Serbe.

Kulmi i absurditetit:

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese qenka institucioni i vetëm që po i mbron të drejtat e serbëve të Kosovës.

Këtu lind pyetja logjike:

Si po i mbron, kur po e lejon një strukturë kriminale t’i terrorizojë vetë serbët?

Si po i mbron, kur po e toleron shantazhin politik dhe bllokadën shtetërore?

Si po i mbron, kur po e legjitimon një organizatë që i frikëson, shantazhon, plaçkit dhe vret – si serbët, ashtu edhe shqiptarët ?

Këtu nuk kemi mendim ndryshe.

Këtu kemi ose disonancë kognitive, ose aktrim të dobët politik.

Krstić duhet të zgjedhë:

ose është hipokrit i vetëdijshëm,

ose aktor i dështuar në rolin e “ mendimtarit të moderuar”.

Historikisht, çdo sistem i kalbur ka një simptomë të përbashkët:

krimi fillon të quhet stabilitet.

Psikologjikisht, humbësit nuk e urrejnë padrejtësinë – ata e urrejnë faktin që padrejtësia po u merret nga duart.

Etikisht, ekziston një dallim i thellë mes vjedhjes së një çokollate në supermarket dhe vjedhjes së miliardave nga buxheti i shtetit.

Prandaj janë tmerrësisht hipokritë ata që thonë se krimi nuk matet me gramë, por me parim.

Sepse me një çokollatë nuk mund ta korruptosh as barkun tënd të uritur –

ndërsa me miliarda euro mund ta korruptosh çdo prokuror, çdo gjykatës dhe çdo “monitorues” vendor apo ndërkombëtar.

Moralisht, heshtja përballë manipulimit është bashkëpunim.

Relativizimi i terrorit është bashkëfajësi.

Ndërsa frika nga zgjedhjet e ndershme është pranim i pafuqisë politike.

PSE HUMBËSIT E THELLË TË KËTYRE ZGJEDHJEVE KANË KAQ SHUMË FRIKË?

Ata nuk kanë frikë nga VV-ja.

Ata kanë frikë nga precedenti.

Nga fakti se për herë të parë:

vota po korrigjohet,

krimi nuk po amnistohet,

dhe pushteti nuk po trashëgohet më si pronë private.

Prandaj ulërasin për Kushtetutën, por e shkelin etikën.

Prandaj flasin për minoritete, por i keqpërdorin si mburojë kriminale.

Prandaj drejtësinë e quajnë destabilizim.

Sepse për ta, një shtet funksional është rrezik.

Rruga Press

YouTube player