Bota

Bashkimi Europian liston Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste

Bashkimi Evropian ka vendosur të shtojë Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) në listën e organizatave terroriste, pas një vendimi të marrë të enjten nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.

BE arriti unanimetetin e nevojshëm politik për ta shpallur IRGC-në organizatë terroriste, një hap me peshë të fortë simbolike dhe politike, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme të protestave nga regjimi iranian.

Vendimi politik u mor të enjten (29 janar) gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel, ndërsa miratimi formal i listës së zezë pritet të ndodhë në ditët në vijim.

Me këtë klasifikim, ndaj anëtarëve të përhershëm të IRGC-së do të zbatohen ngrirje asetesh, ndalim financimi dhe ndalim udhëtimi, masa që për një pjesë të tyre ishin tashmë në fuqi në kuadër të regjimit ekzistues të sanksioneve të BE-së.

“Shtypja nuk mund të mbetet pa përgjigje,” deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, duke shtuar se “çdo regjim që vret mijëra qytetarë të vet po punon për shkatërrimin e vet”.

Ky zhvillim u bë i mundur pasi Franca dhe Spanja, të cilat kishin shprehur rezerva, ndryshuan qëndrim të mërkurën, ndërsa Belgjika, që mbante një pozicion neutral, u rreshtua gjithashtu pro miratimit.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krimet e kryera,” deklaroi ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, duke i bërë thirrje Teheranit të lirojë të burgosurit politikë, të ndalë ekzekutimet dhe të rikthejë aksesin në internet.

Lexo më shumë  Franca i pergjigjet shefit te NATO-s: Europianët mund t’ia dalin edhe pa SHBA-në

Barrot kërkoi gjithashtu lejimin e largimit nga Irani të dy shtetasve francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët pas më shumë se tre vitesh burgim ndodhen aktualisht nën mbikëqyrje në ambasadën franceze në Teheran.

IRGC akuzohet për organizimin e represionit të dhunshëm të protestave, për furnizimin e Rusisë me armë, për sulme me raketa balistike ndaj Izraelit dhe për lidhje të ngushta me grupe të armatosura si Hezbollah, Hamas dhe rebelët Houthi në Jemen.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia e kanë shpallur prej kohësh IRGC-në organizatë terroriste, ndërsa Gjermania dhe Holanda kanë ushtruar presion të vazhdueshëm që BE të ndjekë të njëjtin shembull.

Me këtë vendim, lista terroriste e BE-së, e cila përditësohet periodikisht, përfshin tashmë 22 organizata, mes tyre Hamasin, krahun ushtarak të Hezbollahut dhe Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

“Më duket thelbësore të dërgojmë mesazhin se gjakderdhja dhe brutaliteti ndaj protestuesve nuk mund të tolerohen,” deklaroi ministri i Jashtëm holandez David van Weel.

Ndërsa homologja e tij finlandeze, Elina Valtonen, tha se “ajo që ndodhi në Iran, veçanërisht në javën e parë të këtij viti, është e papërshkrueshme”.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut, mbi 6.100 persona janë vrarë që nga shpërthimi i trazirave në fund të dhjetorit, përfshirë 92 fëmijë, ndërsa raporte të tjera flasin për shifra edhe më të larta.

Revista Time, duke cituar dy zyrtarë të lartë të Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, raporton se të paktën 30 mijë persona mund të jenë vrarë gjatë përleshjeve në rrugë, të cilat nisën si protesta për krizën ekonomike dhe u shndërruan shpejt në sfidë të hapur ndaj regjimit.

Lexo më shumë  Ja si i torturojnë brutalisht komandantët e Putinit 'dezertorët' gjysmë të zhveshur

Presion diplomatik

IRGC u krijua në vitin 1979 pas Revolucionit Islamik dhe ka për mision mbrojtjen e regjimit iranian dhe shtypjen e çdo shenje kryengritjeje. Me kalimin e viteve, ai është shndërruar në një “shtet brenda shtetit”, duke kontrolluar sektorë kyç të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë iraniane.

Vlerësohet se IRGC numëron nga 125.000 deri në 190.000 trupa, me forca tokësore, detare dhe ajrore, nën komandën supreme të liderit Ali Khamenei.

I pyetur nëse ky vendim mund të rrezikojë kontaktet diplomatike me Iranin, Kaja Kallas tha se “rreziqet janë llogaritur” dhe se kanalet diplomatike pritet të mbeten të hapura.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e cilësoi vendimin si “të drejtë”, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ky hap ishte “i vonuar prej kohësh”.

“‘Terrorist’ është termi i duhur për një regjim që mbyt në gjak protestat e popullit të vet,” deklaroi von der Leyen.

Përveç listës së zezë, BE ra dakord të vendosë sanksione ndaj 21 individëve dhe subjekteve për shkelje të të drejtave të njeriut në Iran, si dhe ndaj 10 personave të tjerë të lidhur me mbështetjen iraniane për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Vendimi vjen në një kohë kur SHBA po rrisin presionin ushtarak ndaj Iranit, ndërsa Teherani ka paralajmëruar se është i gatshëm të reagojë ndaj çdo sulmi të mundshëm.

YouTube player