Mijaçiq: Serbia nuk mund të shpëtojë në rastin “Banjska”
Më shumë se dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Milan Radoiçiq është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Koordinatori i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian për Kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, ka deklaruar se Serbia nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për rastin e konfliktit të armatosur në fshatin Banjska, duke e cilësuar këtë çështje si një detyrim ndërkombëtar dhe një njollë serioze për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Serbi.
Sipas Mijaçiqit, rasti i Banjskës nuk përbën vetëm një problem të pazgjidhur ligjor, por edhe një çështje që rëndon mbi autoritetet shtetërore serbe, pasi ende nuk është sqaruar pse ndodhi një incident i tillë dhe kush mban përgjegjësi konkrete.
Ai ka theksuar se nga këto detyrime dhe nga incidenti i ndodhur në Banjska, Serbia nuk mund të shpëtojë, pavarësisht përpjekjeve të disa qarqeve për ta relativizuar ose mbyllur këtë çështje.
Mijaçiq ka shprehur shqetësim edhe për faktin se prokuroria serbe ende nuk ka deklaruar nëse në këtë rast ekzistojnë elementë të veprës penale.
Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, Mijaçiq ka vlerësuar se ekziston mundësia që Serbia të mos jetë në gjendje t’i shmanget as përgjegjësisë për konfliktin mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it përpara ndërtesës së komunës së Zveçanit, i cili ndodhi në maj të vitit 2023.
Ai ka kujtuar se ky konflikt shpërtheu gjatë një proteste të banorëve lokalë kundër hyrjes së kryetarit shqiptar të komunës në objektin komunal dhe se, si pasojë, u plagosën 93 pjesëtarë të KFOR-it. Ky incident ishte cilësuar më vonë si i papranueshëm nga Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Mijaçiq ka theksuar se ende nuk janë sqaruar rrethanat në të cilat u plagosën pjesëtarët e KFOR-it, duke ngritur pyetje se si është e mundur që gjatë një proteste fillimisht paqësore të ketë pasur një numër kaq të madh të të plagosurve. Ai ka shtuar se gjatë këtij incidenti janë plagosur edhe disa protestues serbë, përfshirë Dragisha Galjakun, duke theksuar se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto ngjarje.
Sipas tij, një hetim serioz nga pala serbe do të ishte një mundësi për të sqaruar nëse ka pasur përdorim të mjeteve shpërthyese dhe nëse ekzistojnë elementë të veprës penale, duke nënvizuar se kjo çështje nuk duhet parë si presion ndaj Serbisë, por si një shans për të hedhur dritë mbi situata të rëndësishme për sigurinë e vazhdueshme të komunitetit serb në Kosovë.
Mijaçiq ka rikujtuar se shumë qytetarë serbë i drejtohen KFOR-it, përkatësisht NATO-s, kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë, ndaj kërkesat për hetim dhe përgjegjësi nuk janë kërkesa të njëanshme të Aleancës, por kërkesa të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Në këtë kontekst, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikthyer në vëmendje çështjen e përgjegjësisë për incidentet e sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë rastet e Banjskës dhe Zveçanit, gjatë një diskutimi në Parlamentin Evropian mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Rutte iu përgjigj një pyetjeje të eurodeputetit Tonino Picula, duke theksuar se, ndonëse ka një marrëdhënie të gjatë personale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, NATO pret ende që autoritetet serbe të përcaktojnë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë në këto dy raste.
Ai bëri të ditur se Vuçiq i ka premtuar NATO-s një përcaktim të plotë të përgjegjësisë për incidentet në fjalë, duke shtuar se Aleanca vazhdon të mbështetet te autoritetet serbe për ta përmbushur këtë angazhim.
Sipas Rutte-s, NATO ka më shumë se dy vjet që kërkon në mënyrë të vazhdueshme që autorët e sulmeve në Zveçan dhe Banjska të dalin para drejtësisë për ngjarjet e vitit 2023.
Përveç NATO-s, interesim për zbardhjen e këtij rasti ka shfaqur edhe Bashkimi Evropian, pasi Banjska përmendet si një nga çështjet problematike edhe në raportet e Komisionit Evropian për Serbinë.
Sipas aktakuzës së ngritur në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe të tjerët të përfshirë në sulm, akuzohen për shkelje të rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit ligjor të Kosovës.
Aktakuza përfshin 45 persona, dhe vetëm tre prej tyre që u arrestuan në Kosovë, po gjykohen para gjykatës në Prishtinë.
Të tjerët janë në arrati dhe Interpol-i lëshoi fletarrestim për ta në dhjetor të vitit 2023.
Edhe pse Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, Beogradi refuzon t’i ekstradojë të akuzuarit, duke thënë se ata do të gjykohen në Serbi.
Rruga Press

