Sami Lushtaku viziton Libinë – Takime me Khalifa Haftarin, figurë e mbështetur fuqishëm nga Putini
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Libi, me ftesë të Gjeneralit Feldmarshall Khalifa Belkasem Haftar, një prej figurave më të fuqishme politike dhe ushtarake në lindje të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Lushtaku bëri të ditur se gjatë kësaj vizite ka zhvilluar takime të rëndësishme dhe ka diskutuar për çështje me interes të ndërsjellë, duke vënë theksin në bashkëpunim, mirëkuptim dhe forcimin e urave të komunikimit.
“Zhvillova një vizitë zyrtare në Libi, me ftesë të Gjeneralit Feldmarshall Khalifa Belkasem Haftar. Gjatë kësaj vizite pata nderin të zhvilloj takime të rëndësishme dhe të bisedoj për çështje me interes të ndërsjellë…”, shkruan Lushtaku.
Megjithatë, vizita ka ngjallur vëmendje edhe për shkak të profilit ndërkombëtar të Khalifa Haftarit. Gjenerali libian njihet gjerësisht për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, e cila e ka mbështetur për vite me radhë përmes ndihmës ushtarake, armëve dhe mercenarëve të grupit Wagner, tashmë nën kontroll më të drejtpërdrejtë të Kremlinit.
Haftar konsiderohet nga analistët si një aleat de facto i Moskës në Afrikën Veriore, duke i shërbyer interesave ruse për ndikim strategjik në Mesdhe, Libi dhe rajonin e Sahelit. Pikërisht për këtë arsye, çdo kontakt politik me të shihet në kontekst më të gjerë gjeopolitik.
Në postimin e tij, Lushtaku falënderon Haftarin për pritjen, duke e cilësuar atë si të përzemërt dhe vëllazërore, ndërsa thekson vullnetin për marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të mëtejshëm.
Rruga Press

