Dy milionë të vdekur, të zhdukur dhe të plagosur nga lufta në Ukrainë, 15 mijë civilë mes viktimave
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar gati dy milionë viktima ushtarake – të vrarë, të plagosur ose të zhdukur – mes dy vendeve, sipas një studimi të publikuar të martën nga organizata amerikane Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare .
Sipas raportit, forcat ruse kanë pësuar humbjet më të mëdha, me deri në 325,000 ushtarë të vrarë, nga një total prej rreth 1.2 milion viktimash që nga fillimi i luftës, gati katër vjet më parë. Nga ana tjetër, forcat ukrainase kanë regjistruar 500,000–600,000 viktima, përfshirë 100,000–140,000 të vrarë, në periudhën nga shkurti 2022 deri në dhjetor 2025.
Ekspertët paralajmërojnë se numri i përgjithshëm i viktimave ruse dhe ukrainase mund të arrijë në 1.8 milionë dhe potencialisht deri në 2 milionë deri në pranverën e vitit 2026.
Ndërkohë, OKB raporton se të paktën 15,000 civilë janë vrarë që nga viti 2022, shifër që sipas monitoruesve ndërkombëtarë ka shumë gjasa të jetë më e lartë se ajo e verifikuara zyrtarisht.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi për NBC në shkurt 2025 se Ukraina ka humbur rreth 46,000 ushtarë, me dhjetëra mijëra të zhdukur ose të kapur rob, megjithëse analistët besojnë se këto shifra janë të nënvlerësuara. Nga ana tjetër, humbjet ruse mbeten sekret shtetëror, me shifrat e fundit zyrtare të publikuara në shtator 2022 që flasin për 5,937 të vrarë, sipas AFP. Megjithatë, BBC Russian dhe Mediazona kanë identifikuar mbi 163,000 ushtarë rusë të vrarë, duke pranuar se numri real është më i lartë.
Rruga Press

