Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës arrestohen për keqpërdorim detyre dhe ryshfet, njëri kapet në flagrancë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Sipas komunikatës për media, njëri nga të arrestuarit, i identifikuar me inicialet A.G., është kapur në flagrancë për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, e paraparë me nenin 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria bën të ditur se A.G. dyshohet se ka kërkuar ryshfet me qëllim që ta ndihmojë palën e dëmtuar të realizojë një pagesë për punë të kryera në bazë të një kontrate me Komunën e Prishtinës.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’, me qëllim që ta ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Arrestimin e tre zyrtarëve e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, i cili ka bërë të ditur se aksioni është rezultat i hetimeve të fshehta të zhvilluara së fundmi.
“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka deklaruar Gashi për media.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim, ndërsa Prokuroria nuk ka dhënë më shumë detaje për fazat e ardhshme të procedurës penale.
Rruga Press

