Kurti: Nxënësit e Kosovës shkëlqejnë në Olimpiadën e Shkencave NEO në SHBA, fitojnë 16 medalje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar lart suksesin e nxënësve kosovarë në Olimpiadën e Shkencave NEO, e mbajtur në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ata kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në mesin e rreth 300 nxënësve nga 30 vende të botës.
Sipas Kurtit, nxënësit nga klasa e III deri në klasën e XII kanë fituar gjithsej 16 medalje: gjashtë të arta, tre të argjendta dhe shtatë të bronzta, si dhe shtatë vende në kategorinë “Më të mirët e më të mirëve”. Ata kanë garuar në fusha të ndryshme si matematika, shkencat, biologjia, kimia, kodimi dhe inteligjenca artificiale.
“Kënaqësi e veçantë që bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Kelmendi, t’i mirëpres në Ndërtesën e Qeverisë nxënësit që me përgatitjen, dijen dhe suksesin e tyre na bënë krenarë”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë ata në rrugëtimin e tyre shkencor dhe profesional.
Ai ka rikujtuar edhe mbështetjen financiare të Qeverisë për këto suksese, duke bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar janë ndarë 26 mijë euro për pjesëmarrjen e Ekipit të Kosovës në këto gara, ndërsa gjatë gjithë mandatit janë ndarë rreth 800 mijë euro për organizata dhe institucione që identifikojnë nxënës me inteligjencë dhe talente të veçanta. Po ashtu, janë ndarë 150 mijë euro shpërblime për nxënësit fitues në olimpiada dhe gara shkencore vendore e ndërkombëtare.
Kurti e ka cilësuar këtë sukses si dëshmi të potencialit të madh të të rinjve të Kosovës dhe të investimit të duhur në arsim dhe shkencë.
Rruga Press

