“Bisedë përmes hekurash” e Kadaresë dhe Ukshin Hotit botohet në frëngjisht
Më 10 shkurt do të botohet për herë të parë në gjuhën frënge libri “Bisedë përmes hekurash”, që përmbledh letrat e shkëmbyera mes shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dhe intelektualit e veprimtarit politik Ukshin Hoti.
Lajmin e ka bërë të ditur përkthyesi Sébastien Gricourt, i cili shprehet se përkthimi i veprës ka qenë i përfunduar prej gati tre vitesh, por procesi i botimit ka kërkuar kohë për të bindur shtëpinë botuese franceze Non Lieu. Sipas tij, pritja ia ka vlejtur, pasi vepra mbart një peshë të veçantë historike, politike dhe kulturore.
“Bisedë përmes hekurash” është një dëshmi e rrallë e komunikimit intelektual mes dy figurave madhore shqiptare, në rrethana represive, ku fjala e shkruar shndërrohet në akt rezistence dhe reflektimi kombëtar. Botimi në frëngjisht hap rrugë që kjo korrespondencë e jashtëzakonshme të lexohet dhe të kuptohet edhe nga publiku ndërkombëtar.
Sipas Gricourt, ky botim nuk shërben vetëm për të nderuar personalitete mbarëkombëtare si Kadare dhe Hoti, por edhe për të ngritur çështje të mbetura pezull, të cilat meritojnë të rikthehen në vëmendje dhe të lexohen në gjuhë të tjera.
Botimi i veprës në Francë konsiderohet një hap i rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e trashëgimisë intelektuale shqiptare dhe për njohjen më të thellë të historisë sonë politike dhe kulturore.
Rruga Press

