Ukshini sqaron vlefshmërinë juridike të marrëveshjeve ndërkombëtare: Nënshkrimi i presidentes nuk mjafton
Juristi Syle Ukshini ka sqaruar aspektet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me vlefshmërinë juridike të marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, duke theksuar se nënshkrimi i presidentes nuk e bën automatikisht një marrëveshje detyruese për shtetin.
Sipas Ukshinit, Presidentja e Republikës ka kompetencë kushtetuese për të përfaqësuar shtetin e Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe për të nënshkruar akte politike, por ky nënshkrim nuk është i barasvlershëm me vlefshmëri juridike. Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se marrëveshjet që lidhen me paqen, sigurinë, çështjet politike apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare bëhen juridikisht të detyrueshme vetëm pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretash të deputetëve.
Ai rikujton gjithashtu se Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare parasheh që nisma për lidhjen e një marrëveshjeje duhet fillimisht të miratohet nga Qeveria e Kosovës, përpara se presidentja të autorizohet për nënshkrim. Pa këtë vendim të Qeverisë dhe pa ratifikimin parlamentar, çdo nënshkrim mbetet në nivel përfaqësimi politik dhe nuk krijon obligime juridike për shtetin.
Ukshini thekson se kjo çështje nuk është objekt interpretimi politik, por pasqyrim i ndarjes kushtetuese të pushteteve: Presidentja përfaqëson shtetin, Qeveria nismon dhe negocion marrëveshjet, ndërsa Kuvendi merr vendimin final dhe e obligon juridikisht shtetin.
Sipas tij, funksionimi i shtetit nuk mund të bazohet në simbolikë të njëanshme, por në respektimin e procedurave kushtetuese, legjitimitetit institucional dhe përgjegjësisë së ndarë ndërmjet institucioneve.
Rruga Press

