KryesoreLajme

Janjiq: Për vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane përgjegjëse janë BIA dhe Vuçiqi

Analisti politik Dushan Janjiq ka deklaruar se për “manipulimin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vitin 2020” i konsideron përgjegjëse Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton “Nova.rs”.

Janjiq i tha agjencisë “Beta” se, pas fjalimit të djeshëm të presidentit amerikan Donald Trump në Davos të Zvicrës, është absolutisht e qartë se hetimi për manipulimin e zgjedhjeve është në vazhdim dhe se përfshin edhe Beogradin.

“Deri tani ka pasur disa paralajmërime për nisjen e një hetimi mbi vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane, përmes rrjeteve sociale, si dhe se një adresë IP nga Serbia është përdorur për fushatë kundër Trumpit. Kjo deri tani nuk ishte konfirmuar, por pas fjalimit të djeshëm të presidentit Trump në Davos tani është absolutisht e qartë se hetimi është në vazhdim dhe se përfshin edhe Beogradin”, tha ai.

Sipas tij, në SHBA ekziston diçka që “politikanët gjysmë të arsimuar serbë dhe ekspertët nga BIA e kanë anashkaluar”.

“Në SHBA ekziston Agjencia Kombëtare e Sigurisë që kontrollon sigurinë kibernetike, veçanërisht në situata që ndikojnë në interesat dhe demokracinë amerikane. Nëse rezulton se kjo është e saktë, dhe nuk kemi arsye të dyshojmë se Trumpi po shpik, duhet pritur ndjekja penale e të gjithë njerëzve që kanë marrë pjesë në manipulimin e zgjedhjeve amerikane. Nuk e përjashtoj mundësinë që BIA ta ketë bërë këtë përmes ndonjë agjencie private, por të lidhur ngushtë me pushtetin dhe me konceptin e luftës kundër revolucionit me ngjyra”, tha Janjiq.

Lexo më shumë  Fetoshi: Kosova në Bordin e Paqes, pozicionon vendin në anën e historisë

Ai shtoi se mendon që në këtë kanë marrë pjesë një numër njerëzish të cilët tani kanë filluar t’i largojnë nga maja e BIA-s, por kjo nuk do t’i shpëtojë.

“Shtrohet pyetja deri ku do të shkojë hetimi dhe nëse do ta përfshijë edhe Aleksandar Vuçiqin, i cili kontrollon gjithçka në Serbi. Kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë për Vuçiqin, sepse do të tregohej se një shtet po zhvillon një aksion kriminal kibernetik kundër një shteti tjetër, në këtë rast kundër SHBA-së, për pozitën e presidentit. Kush do të përfshihet në ndjekjen penale do ta vendosë prokurori amerikan”, theksoi analisti.

Pretendimet se pas manipulimit të zgjedhjeve në SHBA qëndron kompania serbe “Roaming Networks”, Janjiq i vlerësoi si “hedhje uji në mullirin e Vuçiqit”.

“Në atë hetim duhet të përfshihet edhe Departamenti për Luftën Kundër Krimit të Teknologjisë në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Derisa të vërtetohet se në BIA nuk ekziston një ekip për luftën kundër revolucionit me ngjyra, dhe Aleksandar Vulin ka pohuar se ekziston, për pjesëmarrjen në manipulimin e zgjedhjeve amerikane në aspektin operativ i konsideroj përgjegjëse BIA-n, ndërsa në aspektin politik dhe kriminal Aleksandar Vuçiqin”, tha Janjiq.

Lexo më shumë  Ashtu si Rama, edhe Lukashenko nuk ishte në themelimin e Bordit të Paqes

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos paralajmëroi së shpejti nisjen e ndjekjes penale për shkak të “zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2020”.

“Njerëzit së shpejti do të ndiqen penalisht për atë që kanë bërë. Ishin zgjedhje të manipuluara”, tha Trump.

Ai në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar e lidhi kompaninë serbe “Dominion Voting Systems” me falsifikimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në vitin 2020.

Trump në rrjetet sociale ndau një postim në të cilin thuhej se Elon Musk kishte arritur të parandalonte manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2024 duke çaktivizuar kompjuterët e kësaj kompanie në Serbi.
Donald Trump në vitin 2020 humbi zgjedhjet presidenciale nga Joe Bideni, por që nga nata zgjedhore ka pretenduar se demokratët i kanë vjedhur zgjedhjet, në të cilat në plot 28 shtete amerikane janë përdorur makina për votim elektronik dhe pajisje optike për numërimin e fletëvotimeve të kompanisë “Dominion Voting Systems”.

Selia e kësaj kompanie është në Kanada dhe ajo ka filiale për zhvillimin e softuerit në SHBA, Kanada dhe Serbi, ndërsa në tregun serb është e pranishme që nga viti 2011.

Faqja amerikane “Stolen Elections Facts” kishte publikuar më herët se “Dominion” kishte hapur qendrën e saj të të dhënave në Beograd përmes kompanisë serbe “Roaming Networks”, e njohur edhe si “Dot Networks”, e cila operon edhe në tregun amerikan.

YouTube player