KryesoreLajme

“Ujësjellësi i Durrësit i jep tenderin 11.6 mln lekë kompanisë “Mektrin Motors”, burrit të kryebashkiakes Emirjana Sako”

Partia Demokratike ka denoncuar abuzimet në bashkinë e Durrësit dhe thekson se përmbytjet janë pasojë direkte e keqmenaxhimit, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit në bashkinë e drejtuara nga Emirjana Sako.

“Mjaftojnë pak ditë me shi, që Durrësi të shndërrohet në kënetë. Qytetarët zgjohen me ujë nëpër oborre dhe brenda shtëpive, ndërsa rrugët e lagjeve kthehen në lumenj ku lëvizet me gomone dhe paddleboard. Ky nuk është as fenomen natyror dhe as fatkeqësi, është pasojë direkte e keqmenaxhimit, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit në Bashkinë Durrës.

Prej kohësh qytetarët e Durrësit denoncojnë Bashkinë, me në krye Emirjana Sako, si dhe Shoqërinë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës, tashmë nën drejtimin e Olsen Kavalli, për dështimin në mirëmbajtjen e kanalizimeve.

Përmbytjet përsëriten, dëmet rriten, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi.”- shprehet zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.

Lexo më shumë  Çmimet e larta të naftës,qytetarët në Shqipëri paguajnë taksa për një litër, dyfishin e rajonit

PD deklaron se, ndërsa qytetarët përballen me pasojat dramatike të përmbytjeve, UK Durrës vijon pa asnjë ndjeshmëri me tendera klientelistë dhe të dyshimtë.

Vangjeli shpjegon se, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës sh.a., ku pronare e rëndësishme është edhe Bashkia Durrës, këtë javë ka shpallur fituese në një procedurë prokurimi kompaninë ‘Mektrin Motors’ sh.p.k., një kompani e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryetares së bashkisë. Kjo kompani është krijuar nga bashkëshorti dhe vjehrri i Emirjana Sako dhe aktualisht rezulton në pronësi të kunatit të saj.

Skandali thellohet nga fakti se në këtë tender është paraqitur një ofertë e vetme, sikur të mos ekzistojnë qindra subjekte që ofrojnë shërbime riparimi automjetesh. Vlera fituese arrin gati 98% të fondit limit, apo 11.6 milionë lekë.

Me këtë kontratë 12-mujore, qytetarët e Durrësit detyrohen të paguajnë 10 mijë euro në çdo muaj për një kompani të familjes së kryetares së bashkisë.

Lexo më shumë  Kurti ndan 500 mijë euro për ekipin e Kosovës, nëse e mposht Sllovakinë

“Këto para dhe të tjera, mund të kishin shkuar për kanalizimet, për ndihmën e familjeve të përmbytura dhe për parandalimin e katastrofave të përsëritura. JO! Ato përfundojnë në xhepat e familjarëve të pushtetit. Përballë këtij skandali heshtja është bashkëfajësi.”– shprehet më tej Vangjeli.

PD thekson se Emirjana Sako duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe të japë menjëherë dorëheqjen. Njëkohësisht, organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë për të hetuar dhe për të ndëshkuar çdo shkelje të ligjit.

“Durrësi nuk mbytet nga shiu, mbytet nga korrupsioni.”- përfundon Vangjeli.

YouTube player