Kryeministri Albin Kurti merr pjesë në panelin e Shtëpisë së SHBA-ve në Davos
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në një panel diskutimi të mbajtur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Davos, me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.Agjenda e ditës së Kryeministrit Kurti në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror ka nisur me këtë panel, ku ai ishte i ftuar për të diskutuar rolin e besimit në udhëheqje dhe në ndërtimin e unitetit shoqëror e shtetëror., njofton zyra e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se gjatë përgjigjeve të tij ndaj pyetjeve të adresuara nga moderatorët dhe pjesëmarrësit, Kurti theksoi se besimi përbën një shtyllë themelore të shërbimit publik dhe të kohezionit shoqëror në etapa të ndryshme të zhvillimit të një shteti. Ai vuri në pah se optimizmi për të ardhmen buron nga përpjekjet e vazhdueshme dhe angazhimi aktiv i shoqërive për ndryshim pozitiv.Paneli është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektim dhe bashkëpunim ndërmjet liderëve nga e gjithë bota, me fokus në ndërtimin e partneriteteve inovative në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe në përshpejtimin e bashkëpunimit global në kontekstin aktual shoqëror.
Rruga Press

