Tjetër bombë nga Brukseli/ Pas fermerëve, BE pezullon fondet edhe për axhendën dixhitale të Shqipërisë për shkak të korrupsionit në AKSHI
Vjedhjet e pandalshme të fondeve publike në Shqipëri i kanë hapur punë edhe Brukselit. Pas ndërprerjes të fondeve për fermerët, Bashkimi Europian ka vendosur të ngrijë financimet edhe për një tjetër komponent të rëndësishëm të ndihmës për Shqipërinë. Këtë herë bëhet fjalë për sektorin dixhital, por arsyeja është e njëjtë; korrupsioni.
Tre burime të pavaruara i thanë Kapitalit se vendimi për të ndërprerë urgjentisht financimet e axhendës dixhitale për Shqipërinë është marrë pas shpërthimit të aferës AKSHI. Të njëjtat burime bënë të ditur se Komisioni Europian ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ngrirjen pa afat të financimeve me argumentin e mbrojtjes së interesit të taksapaguesve të BE-së.

Bashkimi Europian financon sektorin dixhital në Shqipëri përmes një sërë programeve. Në verën e këtij viti, qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, në favor të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit. Programi “Ekonomia dhe shoqëria dixhitale” ka një buxhet prej 44 milionë eurosh nga të cilat 30 milionë financohen nga Bashkimi Europian. Këto fonde tashmë janë të ngrira.
Një tjetër instrument përmes të cilit financohet sektori dixhital është Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij kuadri, Bashkimi Europian financon programin e pajisjes së 600 shkollave të vendit me laboratorët smart. Ky projekt ka një kosto prej 44.3 milionë eurosh, nga të cilat 14 milionë financohet me grant nga BE.
Ndërkohë që financimet për axhendën dixhitale janë pjesë edhe të ashtuquajtur Plani i Ritjes, ku BE ka angazhuar të financojë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për këtë arsye ende nuk është plotësisht e qartë se sa është në total paketa e fondeve që BE ka vendosur të pezullojë për Shqipërinë. Por ky është rasti i dytë, ku Bashkimi Europian detyrohet të ngrijë donacionet për Shqipërinë për shak të korrupsionit qeveritar.
E gjitha kjo po shndërrohet thuajse në një garë, ku qeveria vjedh paratë pa dallim prejardhje, ndërsa BE bllokon fondet për të mbrojtur taksapaguesit e saj. Ajo që mbetet për t’u parë tashmë është se cila nga palët do të lodhet e para? Ndonëse pala e parë nuk ka gjasa të heqë ndonjëherë dorë.
Rruga Press

