Trumpi shpall tarifa të reja për vendet që tregtojnë me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur tarifa të reja ndaj vendeve që vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me Iranin, lëvizje që shihet si reagim ndaj shtypjes së dhunshme të protestave dhe rritjes së numrit të viktimave në këtë vend.
Në një postim në platformën Truth Social, Trumpi deklaroi se çdo shtet “që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit” do t’i nënshtrohet një tarife prej 25%, e cila hyn në fuqi “menjëherë”. Sipas tij, tarifa do të zbatohet për “çdo aktivitet tregtar” me Shtetet e Bashkuara.
Mes vendeve që kanë lidhje tregtare me Teheranin përfshihen Brazili, Kina, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.
Kina reagoi ashpër ndaj masës, duke deklaruar se kundërshton “çdo sanksion të paligjshëm unilateral dhe ushtrim juridiksioni jashtë kufijve kombëtarë”.
Vendimi i Trumpit vjen në një kohë kur numri i të vrarëve gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran ka arritur në të paktën 646 persona, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, me seli në Shtetet e Bashkuara. Organizata paralajmëron se shifra pritet të rritet edhe më tej.
Trumpi ka kërcënuar vazhdimisht se ShBA-ja mund të ndërmarrë veprime ushtarake për të mbrojtur protestuesit, duke theksuar se sulmet ajrore “mbeten në tryezë”.
Të hënën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti “nuk ka frikë të përdorë opsione ushtarake” dhe se sulmet ajrore janë “një nga shumë opsionet e mundshme”. Megjithatë, ajo shtoi se “diplomacia është gjithmonë zgjedhja e parë”.
Sipas të njëjtës agjenci të të drejtave të njeriut, më shumë se 10,600 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave. Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një shifër zyrtare për numrin e viktimave, por mendohet se ai është shumë i lartë.
Rruga Press

