Opinion/Aktualitet

Rreziku i trefishtë i çiftit Rama-Gys Agasi – Nuk na grabisin vetëm paratë, por hyjnë edhe në privatësinë e jetës sonë, duke e shndërruar në mall të shitshëm tek bandat

Nga Andi Bushati

Ata që u nisën per të rrëmbyer me Smart City nuk na grabisin vetëm paratë, por ata hyjnë edhe në privatësinë e jetës sonë, duke e shndërruar atë në një mall të shitshëm tek bandat

Në një situatë kur duket se shqiptarët janë imunë ndaj korrupsionit, kur një skandal shuhet gjithmonë prej një tjetri edhe më të madh, kur vetë kryeministri relativizon gjithçka duke pretenduar se s’përbën asnjë mëkat të takohet me biznesmenë apo të paracaktojë tendera për arsye gjeo-strategjike, denoncimet që bëri ish zv/vendësi i tij Ahmetaj, nuk do të jetë çudi të shuheshin në vesh të shurdhët.

50 miionë tek tuneli i Llogarasë, 80 milionë te AKSh-i – për të përmendur vetëm dy të fundit- mund ta bënin shumëkënd të ngushëllohej, se këtë radhë, Vehbi Alimuça i ri, nuk paskësh kaluar më nga shtëpia vetjake, por thjeshtë nga thesari i stetit. Me të njëjtin sportivitet do të mund të trajtohej edhe denoncimi i fundit, ai për milionat e shpenzuara për SMART CITY-n. Një shumë prej 140 miionë eurosh, e dyfishuar (ishte fillimisht 60 milionë) e dhënë pa garë, për një kompani prej Emirateve të Bashkuara, shtet nga ishte dhënë dhe kredia do të dukej si një raportim i zakonshëm kronike.

As pretendimet e Ahmetajt, se një kamer nga ato që do të vendoseshin në rrugë, apo ato që policët do të mbanin në trup, ishte parashikuar të vinte me shtatëfishin e çmimit, as fakti se për monitorimin e trafikut ishim kredituar me 70 milionë nga Banka Botërore nuk do të habiste më shumë se ato që kishim dëgjuar më parë.

Por, pavarësisht nga banalizimi i kësaj bashkëjetese fatkeqe me hajdutët, sërish ajo që tregoi në interviztën me Çim Pekën, ish numri dy i qeverisë së rilindjes, shkaktonte një efekt rënqethës. Jo për milionat e eurove. As për cënimin e sigurisë kombëtare, që po ia dorëzonte të dhënat e qytetarëve të vendit, një kompanie të dyshuar nga kongresi amerikan si të lidhur me partinë komuniste kineze. Me fabula të tilla tashmë jemi mësuar. Por ajo që shaktonte frikë lidhej drejtpërdrejt me efektet kolaterale që prodhon një skemë e mirfilltë grabitjeje.

Gjatë intervistës së tij Ahmetaj përmendi se me projekjtin e Smart City, i cili është propoganduar si një hap për të shtuar sigurinë e qytetarëve, lidhej edhe emri i Ergys Agasit, i ciëlsuar më parë prej tij si “koordinatori i Ramës me krimin e organizaur”. Ahmetaj tha se se ai kishte shoqëruar delegacionet qeveritare në Abu Dabi, madje se ekzistonin, me sa duket në SPAK, përgjime të bisedave të tij me një ish ministër të brendëshëm ku ziheshin për kompanitë të cilave do tu ‘dhurohej” projekti i Smart City-t.

Imagjinoni pak sikur ky denoncim, në pamje të parë i pa besueshëm, të jetë po aq real sa ato për tunelin e Llogarasë, AKSH-in, apo verërat Romanee Conti të konsumuara në tyrezën e sallës së luleve. Ç’do të ndodhte në një rast të tillë? Të dhënat e të gjithëve ne, itenerari i lëvizjeve të përditshme, personat me të cilët udhëtojmë e që s’duam të na i dijë gjithkush, targat e makinave, dyqantet ku bëjmë pazar, vendet ku shkojmë për darkë apo hotelet ku zgjedhim të pushojmë, do të mund të kontrolloheshin nga një bandë njerëzish që sot akuzohen për rrëmbim personash, në mes të qytetit, në mes të ditës.

Pra, vetëm synimi për të vjedhur kudo e me gjithçka, një projekt të nisur për më shumë siguri, mund ta shndëronte në një makth për secilin prej nesh.

Alarmi për nisma të tilla të monitorimit kudo me kamera, që janë eksperimentuar në disa qytete pilot nga Partia Komuniste e Kinës, ndonëse kanë ulur ndjeshëm aksidentet dhe aktivitetin e hajdutëve të xhepave, kanë ngritur pikpyetje shqetësuese për dhunimin e privacisë personale. Në vendet demokratike, ndonëse as diskutohet një transparencë dhe kontroll i plotë për ruajtjen e të dhënave, sërish janë të shumtë ata që shqetësohen për lirinë e lëvizjes dhe manifestimit, tkurrjen e prezumimit të pafajësisë dhe rrëshkitjen drejt një survelimi të përhersëm. Po në një vend si yni, ku të dhënat personale, që neve ia dorëzojmë e-Albanias, e që AKSH-i i’a dhuron patronazhistëve socialistë, po këtu ku hakerat iranianë gllabërojnë gjithë sistemin TIMES?

Pra, edhe nëse nuk kishte qëllime më të mbrapshta se sa të bërit e parave, në një rast si ky i SMART CITY, qeveria shqiptare duhej të qe e kujdeshme, të zgjidhte transparencën para sekretit, të preferonte një kompani nga vende me kontroll demokratik. Ndërsa në rastin tonë jo vetëm askush nuk u kujdes për këtë, por ka dyshime të forta se të dhënat personale do të ishin dorëzuar në duar të Ergys Agasit. Ç’mund ti ndodhte në një rast të tillë një sipërmarësi, të madh apo të vogël, të cilit i dinin lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, i kishin të regjistruara kontaktet dhe personat me të cilët bënte biznes? Ç’mund ti ndodhte një gazetari që denonconte një kriminel, një aktivisti që protestonte ndaj një kulle që po ndërtohej me para të pista, ndaj një opozitari që ngrinte zërin ndaj një afere korruptive: të gjithë do ishin më lehtësisht viktima të keqpërdorimit të të dhënave të regjistruara nga kamerat e montuara gjoja për sigurinë e tij.

Prandaj, nga të gjitha denoncimet e fundit të Ahmetajt, ky për Smart City-n ishte ndoshta më shqetësuesi, sepse aty bëhej fjalë për një vjedhje të trefishtë. Jo më vetëm për atë me të cilën tashmë jemi mësuar, atë të keqpërdorimit të taksave tona, as thjeshtë për rrjedhjen e të dhënave në vende jo aleate, por mbi të gjitha, se kjo histori na bën të kuptojmë, se ata që kemi mbi kokë, duke u nisur për të vjedhur nuk na grabisin vetëm paratë, por ata hyjnë edhe në privatësinë e jetës sonë, duke e shndërruar atë në një mall të shitshëm tek bandat./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player